Nëse para pak vitesh Shqipëria renditet si një ndër vendet me rendiment të lartë në kultivimin e duhanit, prodhimi i kësaj kulture tani është reduktuar ndjeshëm. Fermerët e Qarkut të Shkodrës, Elbasanit, Korçës dhe shumë zonave të tjera e kanë braktisur në masë mbjelljen e tij, shkak për këtë është bërë mungesa e tregut të shitjes. Këtu ndodhemi në fshatin Ballagat të Lushnjës, fermerët që kanë këmbëngulur në kulturën e duhanit numërohen me gishta.
“E kemi shumë problem më tregun e shitjes. Shumë problem e kemi siç i do qejfi grekut vjen e merr.”
“Vetëm një pikë është këtu që vjen e grumbullon edhe nga vjet e tutje ata e merrnin duhanin dhe pas 6 muajsh do të merrje lekët.”
“E vështirë është shumë po fukarallëku do vejë në gjethet e duhanit.”
Specialistë të bujqësisë në rreth thonë se fenomeni ka qenë i paparashikuar dhe ka ndikuar ndjeshëm në të ardhurat e fermerëve të zonës.
Isuf Çela: “Në zonën kodrinore është mbjellur afërsisht edhe 5 hektar, në vitin 2007 është mbjellë 5 hektar, në vitin 2006 është mbjellë 22 hektar, kjo ulje ka ardhur si rezultat i mos kontraktimit dhe i kontratave që janë bërë nga ndërmarrjet e grumbullimit.”
Në Shkodër, ish fabrika e fermentimit të duhanit ka vite që nuk e kryen funksionin e saj të mëparshëm. Përpunimi i duhanit të famshëm të zonës kryhet në mënyrë artizanale dhe ajo pakicë që prodhohet destinohet në tregun vendas.
“Duhanit shkojnë ja bëjnë punën e mundin po s’kemi ku e çojmë, magazina s’ka për me e refezervu, me e mbledh kështu që detyrohemi me dal në rrugë me të.”
“Tani 18 vjet merrem me këtë lloj profesioni, me një fjalë grimë, shesim, blejmë. Ka konsum po edhe rënie ka konsumi.”
Dy vjet më parë ministria e Bujqësisë ndërmori një nisëm për stimulimin e prodhimit të duhanit duke i orientuar prodhuesit vendas të blinin farëra cilësore, por iniciativa nuk i inkurajoi fermerët dhe bëri që bashkë me projektin e ministrisë të dështojë edhe përpjekja për të mbajtur në treg markën shqiptare të duhanit./tvklan.al
Gazetar: Leonard Mitro