Pak kohë më parë transmetuam një rast nga Libohova, pasi bashkëshortët Elmaz dhe Brunilda Çaushi denoncuan një problem. Ata thanë, se stalla e dhive të kushëririt të tyre, kishte pleshta.

Stallën e kanë ngjitur me shtëpinë, ndaj çifti Çaushi është detyruar të lerë shtëpinë. Kjo histori zgjat prej plot katër vjetësh. Ne u interesuam në Bashkinë e Libohovës, ku na thanë, se për këtë situatë, do të merren të gjitha masat e nevojshme dhe bagëtitë duhet të hiqen.

Sot nënkryetari i bashkisë shprehet se për pjesën e parazitëve janë marrë masa dhe aktualisht nuk ka parazitë. Sipas tij, është bërë dezinfektimi i ambientit dhe i bagëtive. Personit i është lënë një farë afati, pasi janë 260 bagëti të imta.

Nënkryetari: Për pjesën e parazitëve, janë marrë masa. Ka vajtur prapë një grup për inspektim. Aktualisht nuk ka parazitë. Është bërë dezinfektimi i ambientit dhe i bagëtive. Personit i është lënë një farë afati, se nuk është një lopë, që e more dhe e lidhe aty në një pemë. Janë 260 bagëti të imta. Që t’i marrë e t’i çojë diku, duhet të bëjë dhe ambientet.

Gazetari: Po tani, Korrik, Gusht, Shtator… Po mbyllet muaji i tretë…

Nga ana tjetër denoncuesja Brunilda Çaushi shpjegon se tani nuk ka pleshta për shkak të nisjes së shirave. Por sipas saj, kushëriri nuk ka bërë asnjë dezinfektim, madje ka vendosur këmborë më të larta, si për inat. 

Denoncuesja: Tani në moment, që ne po flasim nuk ka, për arsye se kur bie shi dhe kur është koha e ftohtë e bie shi, paraziti vendoset në pleh.

Gazetari: Është e vërtetë që ai ka bërë dezinfektim?

Denoncuesja: Jo, ai nuk ka bërë dezinfektim, por janë larguar nga koha, nga shirat. Jo, është dhe një fakt, që ai ka vendosur këmborë më të larta, për të na acaruar më shumë./tvklan.al