Emisioni “Stop” ndodhet në Libohovë, pasi bashkëshortët Elmaz dhe Brunilda Çaushi kanë një shqetësim. Ata tregojnë, se stalla e dhive të kushëririt ka pleshta. Stallën e kanë ngjitur me shtëpinë e tyre, ndaj çifti Çaushi është detyruar të lerë shtëpinë. Kjo histori zgjat prej plot katër vjetësh.
Elmaz Çaushi, denoncues: Kam një problem kaq të rëndë për vite me radhë. Kam bërë një shtëpi të re dhe kam katër vjet që kam braktisur shtëpinë. Banesa është ndërtuar në vitin 2014.
Brunilda Çaushi, bashkëshortja e Elmazit: Banesa rri e mbyllur, e braktisur për shkak të pleshtit të dhive. Po jetojmë në shtëpi me qira.
Elmaz Çaushi: Stallën e ka djali i xhaxhit tim Artan Çaushi dhe janë 400 krerë dhi. Është e pamundur që të jetojmë.
Për të dëgjuar versionin e të dyja palëve “Stop” takoi pronarin e stallës, Artan Çaushin.
Artan Çaushi: Unë jam në rregull!
Elmaz Çaushi: Po si të jetë në rregull ai, mua po më ha të gjallë pleshti tani në shtëpinë time. Të bëjë derman, t’i spërkatë, të bëjë çfarë të dojë.
Brunilda Çaushi: Më ka ardhur tre herë leja për të hequr stallën. Unë kërkoj largimin e stallës.
Artan Çaushi: Erdhe ti tek stalla, nuk erdhi stalla tek ty.
Brunilda Çaushi: Stalla do të ikë, unë do të vij të banoj në shtëpi.
Elmaz Çaushi: Specialistët e shëndetësisë kanë dhënë urdhër për largimin e stallës urgjentisht.
Artan Çaushi: Kanë ardhur nga bashkia, e kanë verifikuar që stalla nuk ka pleshta.
“Stop” ka trokitur në çdo derë të institucioneve për të kërkuar një përgjigje, por çfarë kanë bërë institucionet?
Elmaz Çaushi: Kam shkuar në Bashkia Libohovë, po asnjë nuk e vuri ujin në zjarr, nuk më dhanë asnjë zgjidhje. Në Prefekturë në Gjirokastër më kanë thënë që në territorin e Bashkisë Libohovë vendos bashkia.
Brunilda Çaushi: Urdhrat për largimin e stallës janë dhënë, por nuk janë zbatuar.
Emisioni “Stop” u interesua më tej në Bashkinë e Libohovës, ku na thonë, se për këtë situatë, do të merren të gjitha masat e nevojshme.
“Do të verifikojmë dhe do të japim të gjitha udhëzimet për eliminimin e parazitëve, ujërave dhe plehrave.”
“Do të marrim të gjitha masat e nevojshme. Do i bëjmë njoftim dhe me shkresë zotërisë për të larguar bagëtitë.”
Elmaz Çaushi: Të njëjtën gjë që kanë këtu e katër vjet.
Gazetari: Keni shpresë tani që Bashkia e Libohovës do e zgjidhë?
Brunilda Çaushi: Jo akoma. Nuk kam shpesa, te bashkia i kam humbur.
Specialistët pohojnë, se stalla nuk duhet të jetë aty, pasi është zonë e banuar. Sipas tyre, bagëtitë duhet të hiqen.
Më pas me një shkresë zyrtare, bashkia shprehet, se në stallë ka prani të pleshtave, ndaj i është lënë detyrë banorit, që e ka në zotërim, që të marrë masa./tvklan.al