Historia e tretë e dashurisë që u rrëfye në programin “Rudina” në Tv Klan që iu dedikua Shën Valentinit, i përket një gjenerate tjetër. Arben dhe Majlinda Spako kanë 37 vite bashkë dhe janë njohur përmes shkuesisë.
Çifti i bukëpjekësve janë bashkë në profesion dhe në jetë ku kanë kaluar momente shumë të vështira. Për herë të parë, ata rrëfejnë sprovën e humbjes së vajzës së tyre të vogël dhe dhimbjen që nuk shuhet kurrë.
Arben Spaho: Për mua është një engjëll i vërtetë, gjithçka. Është një mrekulli. Mua më ka dhënë Zoti këtë bashkëshorte të shkëlqyer, unë jam shumë i lumtur, shumë i kënaqur. Me thënë të drejtën, neve në jetë na kanë ardhur tre fëmijë, por vajza pas çunave ka ndërruar jetë. Momenti më i vështirë, mos e përjetoftë asnjë, nuk ia dëshirojmë kurrë njeriu. Zoti e solli, Zoti e mori. Kam dy çuna të mrekullueshëm, njërin e kam të martuar, tjetrin e kam beqar. Kemi një familje të shëndoshë, një familje të dashur, të mrekullueshme.
Rudina Magjistari: Dhe unë besoj që dashuria ju ka bërë fitues edhe para këtyre momenteve kaq të vështira që ju paskeni kaluar që unë besoj që janë dhimbja më ekstreme që mund të provojë një prind. Nuk ka dhimbje më të madhe.
Arben Spaho: Nuk shuhet asnjëherë, por duhet kujtuar. Zoti na ka dhënë tre.
Rudina Magjistari: Si do ta përshkruanit, si e keni mbështetur njëri-tjetrin, si e keni mbajtur pranë njëri-tjetrin për të kaluar këtë moment kaq të vështirë dhe me siguri, shumë të tjerë që ka jeta?
Arben Spaho: Kjo ka qenë dhimbja më e madhe e jetës sonë.
Majlinda Spaho: E kishim 20 ditë në reanimacion. Koha kur na lajmëroi doktoresha, sa e pamë aty tha “silli djemtë ta shikojnë motrën”. Nuk i sjell, i thosha. Sa kemi ardhur në shtëpi, lajmëruan Benin, “hajde se vajza ndërroi jetë”./tvklan.al