Ngjyrat e ngrohta të Mesdheut, dashurinë për peizazhin shqiptar, koloritin e  veçantë të stinëve në vendlindje, natyrshëm ia ka hedhur me penelata të lirshme e spatul, ambienteve topike të peizazhit të ftohtë kanadez.

Këto janë muza dhe identiteti artistik i piktorit, Dhimitër Prifti, që prej 16 vitesh jeton në Kanada.

Pas 32 vitesh mungese në galeritë shqiptare, kjo ekspozitë në muzeun kombëtar prezanton 45 tablo në vaj, që i përkasin krijimtarisë së dhjetë viteve të fundit.

Dhimitër Prifti: “Këto ngjyra i kam kultivuar që në fillim të jetës sime që në ekspozitat e para. Sidomos në ekspozitat e kohës së komunizmit. Ky shqetësim i madh është në Kanada, kur erdhi shtatori i parë më ka bërë një përshtypje të madhe, një ngrohtësi se ai është një vend i ftohtë. Kam gjetur një ngrohtësi të madhe nga ngjyrat.”

Skënder Kamberi: “Është një post impresionist, por i karakterit të fortë … me ngjyra spektakolare, me një fraksion … të këndshëm dhe të sigurt. Me një dashuri ë madhe për peizazhin që nuk përsëritet nga një peizazh në tjetrin. Përkundrazi ka një gamë të tërë me tërë nuancat e shumta brenda fraksione spektrale të dritës.”

Bashkim Zahaj: “Kemi të bëjmë vërtet me një pikturë me penelat, me një pikturë shumë të ndjerë. Një piktor me të vërtetë impresionist dhe me një guxim ekspresiv. Kjo duket në penelatat që ai ka hedhur në telajo dhe janë penelat jo me një mendim të gjatë dhe një stërmundim të lodhshëm në studio, por janë penelat të hedhura në natyrë dhe kjo me të vërtetë të kënaq.”

Penelatat impresioniste të Dhimitër Priftit, e verdha, okra, dhe oranzhi aq i preferuar për të duket se kanë joshur edhe artdashësit në Kanada, ku piktori ka shitur rreth 500 tablo./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani