Përpos debateve të forta sot në Komisionin Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, ka pasur përplasje edhe në korridoret e Kryesisë së Kuvendit.
Kreu i grupit të PS Niko Peleshi thotë se dy deputetë demokratë kanë shtyrë kolegen e mazhorancës Milva Ekonomi. Ai thekson përmes një postimi në Facebook, se është e papranueshme dhuna ndaj deputetëve, Gardës apo Policisë.
“Pas përpjekjeve të dhunshme të PD për të penguar punimet e seancës plenare dhe sulmet me molotov ndaj institucioneve, sot është tejkaluar çdo kufi me cenimin fizik të deputetes së mazhorancës, Milva Ekonomi, nga deputetët e përjashtuar të opozitës, Xhelal Mziu dhe Ina Zhupa. Opozita po tenton të sjellë krizën e vet edhe në Kuvend. Dhuna ndaj deputetëve, stafit të Kuvendit, Gardës apo Policisë është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme. I bëjmë thirrje deputetëve të Partisë Demokratike të rikthehen në rrugën e arsyes dhe të dialogut. Dhuna dhe përpjekjet për të bllokuar punën e Kuvendit nuk i shërbejnë as qytetarëve, as demokracisë”, shkruan Peleshi.
/tvklan.al