Dialogu politik që po prodhon tryeza e presidentit, pas juristit Ylli Manjani është i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendit pavarësisht rezultateve që do të vijnë prej saj.
Duke theksuar se kushti i vendosur nga Rama për hapjen e kutive është një tek politike e kryesocialistit, anëtari i Asamblesë Socialiste Manjani shprehet se ky i fundit ka rastin e tij të artë për të treguar se di të ngrihet mbi interesat personale për interesin kombëtar.
Ylli Manjani: “Askush nuk e di se çfarë mund të arrihet në këtë çështje për hir të së vërtetës, sepse këtu nuk kemi një çështje politike, por kemi një tekë politike. Është një tekë personale e z. Rama, i cili gjithë këtë kohë, gjithë këto muaj është munduar të krijojë alibinë e humbjes së zgjedhjeve, pra të shmang përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve. Është shumë e rëndësishme që të bindet z. Rama që është në krye të Partisë Socialiste për të bërë politikë në radhë të parë dhe për të bërë avokatinë e interesave jo politike. Pyetja që shtrohet është Duam t’i hapim kutitë dhe të krijojmë destabilitet politik, apo duam të vazhdojmë kështu siç është, kështu siç jemi me idenë që të përmirësojmë diçka në të ardhmen dhe Shqipëria të eci përpara. Minimalisht këtë vit të marrim të drejtën për të lëvizur lirisht”.
Manjani shprehet i bindur se grupi parlamentar socialist do të jetë në Kuvend, pavarësisht qëndrimit të dyzuar dhe paqartësisë politike që po tregon kryesocialisti Rama me aksionet e ndërmarra pas humbjes në zgjedhje.
Ylli Manjani: “Z. Rama nuk ka në dorë të përjashtojë Partinë Socialiste nga parlamenti, nuk e bën dot. Partia Socialiste do të hyjë në parlament pavarësisht vullnetit të z. Rama, i cili është një vullnet personal dhe në kundërshtim me vullnetin e Partisë Socialiste”./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka