Tërmeti 7 ballësh që goditi në mesnatë disa rajone të vendit, dëmtoi dhjetëra banesa por fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar në njerëz. Epiqendra e tij ka qenë kufiri shqiptaro-maqedonas, 3 km në lindje të fshatit Gjoricë ku edhe janë regjistruar dëmet më të mëdha, kryesisht në disa shtëpi.

Lëkundja e parë zgjati për afro 15 sekonda dhe pati një fuqi prej 7 ballësh, të tjera u përsëritën në harkun kohor të 30 minutave duke bërë që bilanci të dëmeve t’i shtohen çati të rrëzuara, mure të plasaritura dhe suva të rëna për tok.

Mjaftë banorë të komunave Shupenzë, Gjoricë dhe Ostrenë e kaluan natën jashtë disa nga paniku e të tjerë për shkak se shtëpitë e tyre u bënë të pa banueshme e të rrezikshme.

“Nga ky tmerr që kemi pa me sy, po të kishte zgjat edhe 5 sekonda të tjera do të ishte bërë katastrofë e pa pame”.

“Tmerr i madh është. Janë ça shpiat komplet, komplet savatimet në tokë. A hyhet në shpi tani?

“Kemi flet në makina, këtu në garazhde, me gjona përjashta”.

“Shpia është e pa banueshme. Tani se si do bëhet ajo duhet marrë masa vetë shteti, vetë komuna”.

“Kishim frikë se na zejnë shpiat se i kemi.. edhe krejt fëmijët përjashta”.

Lëkundjet e tërmetit u ndjenë edhe në Tiranë, Durrës e Kavajë me një amplitudë më të ulët rreth 4 ballë. Në këto rajone nuk pati dëme por qytetarë të shumtë të mbërthyer nga paniku, braktisën për disa minuta shtëpitë e tyre dhe dolën në rrugë. Instituti i Sismiologjisë konfirmoi fuqinë e lëkundjeve të tokës, por sqaroi se nuk ka vend për panik pasi lëkundje të tilla janë të shpeshta në rrethin e Peshkopisë që njihet si zonë me aktivitet të vazhdueshëm sizmik.

Edmond Dushi: “Zona në fjalë njihet për aktivitetin e saj sizmik dhe është në vazhdimësi të një zone shkëputjesh tektonike tërthore me potencial sizmik dhe ka gjeneruar dhe në të kaluarën tërmete të kësaj natyre dhe më të fortë. Kshu që nuk është një ngjarje e rastësishme apo  një ngjarje për të përbërë një panik”.

Reagimi i autoriteteve ka qenë i menjëhershëm. Shërbimi i emergjencave civile ka nisur drejt zonës ndihma në ushqime e çadra për strehim.

Laura Totraku: “Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në bashkëpunim me drejtuesit e pushtetit vendor po bën verifikimet e dëmeve të shkaktuara. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale, ka gati të gjithë ndihmën që do nevojitet në materiale dhe ushqime për banorët e dëmtuar”.

Nga ana tjetër kreu i LSI-së, Ilir Meta ka kërkuar nga qeveria dëmshpërblimin e banorëve të dëmtuar.

Ilir Meta: “Do të kërkojmë edhe njëherë tjetër nga qeveria ndërmarrjen e të gjithë masave efikase në mënyrë që këto dëme sa më shpejt të kompensohen”.

Ndërsa kreu në detyrë i PS-së Edi Rama, u kërkoi drejtuesve vendor socialist të rrethit të Peshkopisë të angazhohen maksimalisht për të ndihmuar familjet e dëmtuara nga ky tërmet”./tvklan.al