Ditën e diel, më 19 janar u prezantua Diella, asistentja virtuale zadrimore e platformës e-Albania. Asistentja virtuale vjen si shtojcë e opsionit tashmë të disponueshëm për qytetarët që është teksti, kurse Diella mund të ofrojë ndihmën e saj përmes komandave zanore.
Enio Kaso, drejtor i Inteligjencës Artificiale dhe Licencimit të Kriptomonedhës shpjegon në “Aldo Morning Show” në Tv Klan sesi funksionon Diella.
Enio Kaso: Diella ose asistenti virtual 2.0 vjen në versionin e tij të përmirësuar ku i shtohet funksionaliteti me zë dhe figurë në kohë reale, kjo për t’i dhënë lehtësi në akses qytetarëve dhe bizneseve për të marrë shërbimet që ata kërkojnë.
Aldo: Si është ky bashkëpunim i Diellës me përdoruesit?
Enio Kaso: Diella sapo është lançuar ditën e diel. Sipas raportit të brendshëm të statistikave kemi parë që përdoruesit kanë goxha më shumë dëshirë dhe përqafojnë më mirë të komunikojnë sesa me opsionin që është akoma i aksesueshëm në portal, me chat, pra me tekst.
Aldo: Ky personazh që u ndërtua, u ndërtua duke pasur parasysh ndonjë figurë apo nga zero?
Enio Kaso: Ky personazh u nis nga zero, por…
Aldo: Shumë vetëve iu duk si Anila Bisha, ajo aktorja. I ngjan ë?
Enio Kaso: Nuk po them që nuk është ajo, nuk po them që është ajo.
Aldo: E kuptova, lëre e mora vesh, paskeni marrë imazhin e saj dhe e keni rregulluar. Çfarë ofron kjo për ata që s’i marrin vesh këto linqet, hap dritare, mbyll dritare etj?
Enio Kaso: Asistenti virtual, krahasuar me metodat e tjera të kërkimit të asistencës, përveçse është më i thjeshtë dhe i aksesueshëm, kthen përgjigje në kohë reale, ofron toleranca në kërkimin e shërbimit.
Aldo: Çfarë do të thotë kjo shprehja “ofron toleranca?”
Enio Kaso: Është më tolerant ndaj gabimeve drejtshkrimore, është më tolerant ndaj mënyrës sesi qytetari kërkon të marrë shërbimin, nuk ka nevojë për ta mbajtur titullin e shërbimit në mendje tërë kohën.
Diella kthen përgjigje të personalizuara për çdo qytetar, edhe nëse ajo përdoret njëkohësisht nga shumë përdorues. Në muajt në vijim, Diella nuk do të ofrojë vetëm ndihmën, por do të mund të gjenerojë dokumentet e kërkuara.
Enio Kaso: Në versionin që do të lançohet në muajt në vazhdim, një version i përmirësuar i Diellës, do të shtohet edhe funsionaliteti ku Diella do të ketë aftësinë për të gjeneruar shërbimin në kohë reale, pra qytetari mund të thotë dua një vërtetim pensioni ose dua një vërtetim page, dokumenti do të gjenerohet nga Diella në pak sekonda dhe do të gjendet në seksionin dokumentet e mia në e-Albania.
Trajnimi i Diellës është bërë përmes modeleve të OpenAI. Asistentja virtuale kupton edhe dialektet e ndryshme, ndërsa në rastet kur nuk mundet do të kërkojë më shumë hollësi nga përdoruesi./tvklan.al