Ishte vetëm 6 vjeç kur familja e tij vendosi që të largohej nga Shqipëria dhe të shpërngulej në Itali për një jetesë më të mirë. Sot ai është një aktor i njohur, teksa atë periudhë largimi në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Endrit Ahmetaj e kujton me nostalgji.
“Dilja me mamin shisja cigare në rrugë,” tregon ai, për periudhën e vështirë të varfërisë e skamjes në Shqipëri, megjithëse e vështirë duket se atij djaloshit të vogël në cep të rrugës i shërbeu për të zbuluar talentin e tij, aktrimin.
Endrit Ahmetaj: Kur je fëmijë edhe ambientohesh shumë shpejt, dhe përshtatesh shumë më shpejt me një realitet të ri. Por, meqë po flasim për emigrimin dua të theksoj këtë gjë, që shqiptarët nëpër botë nuk njiheshin shumë, ose njiheshin për keq. Pamja që Italia kishte për ne ishte ky vendi ish-komunist, ose këta njerëz që jetojnë në varfëri dhe nëpër pyje. Disi ka pasur pak racizëm, sepse Italia e atëhershme nuk është si sot, nuk kishin hasur shumë emigrantë.
Katerina Trungu: Na kanë njohur dhe në kushte pak të vështira. Mund të themi që nuk ka qenë prezantimi më i mirë.
Endrit Ahmetaj: Po, sidomos nëpër shkollë. Personalisht e kemi vuajtur atë bullizmin dhe racizmin disi. Por, gjërat i kupton më vonë dhe unë mendoj se varet se si ne i reagojmë jetës, çdo gjë është si një leksion që të formon më vonë. Atëherë të bënin të ndjeheshe ndryshe, është ajo ndjesia sikur nuk ke asgjë që të lidh me ambientin, është diçka paradoksale sepse ti si fëmijë përshtatesh shumë shpejt me ambientin dhe zakonet. Por, nga ana tjetër është kjo gjëja që të tërheq sikur je ndryshe, ka diçka që nuk përputhesh, mbetesh i huaj. Kur kam qenë i vogël isha goxha aktiv dhe pjesa e aktrimit që këtu në Shqipëri më pëlqente. Më pëlqente të vishesha si burrë, si grua ose si plakë, shkoja në raft merrja diçka dhe hyja “në skenë.” Plus që prindërit e mi kanë qenë artistë të dy. Babi shkrimtar, poet dhe fotograf, ndërsa mami ka qenë me Ansamblin, valltare. Pastaj u martuan, linda unë që i prisha pak planet. Shtëpia që morën atëherë, se ishin të rinj dhe s’kishin, ishte ai bodrumi tek Ura e Tabakëve dhe ngaqë s’kemi pasur unë me mamin shija cigare, karamele ose çamçakëz në rrugë. Unë si ai filmi “Charlie Chaplin” thërrisja “hajde cigare” që aty madje mund të më ketë lindur dëshira e aktrimit.
Shqipëria i dha talentin kurse Italia shkollimin dhe formimin. Endrit Ahmetaj u shkollua në Firence për aktrim ku më pas dhe nis punë si një aktor profesionist. Ishte pikërisht festivali “Skampa” në Elbasan ai që i ngjalli dëshirën e “zjarrtë” për të ushtruar profesionin e ëndrrave në vendin e lindjes.
Endrit Ahmetaj: Pasi provova shumë gjëra e vendosa që do bëhesha aktor, u thashë prindërve “mos më thoni për shkollë të lartë, universitet e gjëra të tilla, sepse unë dua të bëhem aktor,” dhe babi me atë dashamirësinë e vet më tha “bir, shiko nëse do që të bëhesh artist duhet të dish që do jesh i pasur nga ana shpirtërore, por nga ana ekonomike…” Dhe kështu nisa, vazhdova shkollën në Firence, u formova dhe kur fillova punën si artis profesionist në teatër, vendosa që përsëri të jetoja në Firence. Puna këtu në Shqipëri ishte krejtësisht rastësore, sepse madje edhe kur më thoshin ndonjëherë nëse do të kthehesha në Shqipëri, thoja “jo çfarë të kthehem në Shqipëri,” por ja si është fati. U ktheva këtej sepse isha me një turne në një shfaqje dhe në kalendar një nga data që ne kishim ishte festivali “Skampa” në Elbasan. Vijmë këtu bëjmë shfaqjen dhe fillojnë intervistat “kush është ky djali shqiptar që vjen në Shqipëri për të përfaqësuar Italinë.” Unë kisha një javë të lirë këtu në Shqipëri dhe mua ma ndjente shpirti, po më thërriste Shqipëria dhe pyeta disa njerëz atje “ore a ka ndonjë audicion, ta provojmë njëherë fatin ashtu kot.” Fitova audicion në teatrin “Metropol” për një shfaqje dhe pa e menduar shumë iu thashë atyre të Italisë “e dini çfarë merrni një aktor tjetër sepse unë kam vendosur të rri dhe të punoj në Shqipëri.”/tvklan.al