Lufta ndaj korrupsionit është komentuar si një arritje në përmbushjen e reformave nga shefi i sektorit përgjegjës për Shqipërinë në Komisionin Europain Dirk Lange.

Duke folur nga Vora ku mori pjesë në inspektimin e projektit për modernizmin e regjistrit civil së bashku me ambasadorin e OSBE-së në Tiranë Robert Bosh, Lange tha, se lufta ndaj këtij fenomeni duhet të vazhdojë pasi mbetet ende për t’u bërë.

Dirk Lange: “Shqipëria ka bërë vërtetë hapa përpara në drejtim të luftës ndaj korrupsionit dhe në përmbushjen e një sërë reformave. Raporti më i fundit i Transparency International foli dhe evidentoi një gjë të tillë. Por ne mendojmë se korrupsioni vijon të mbetet sërish një problem që duhet luftuar.”

Dy diplomatët folën gjithashtu edhe për reformën zgjedhore duke iu përgjigjur edhe interesit të gazetarëve. Ku ritheksuan se në këtë drejtim duhen përshpejtuar ritmet.

Dirk Lange: “Një nga arsyet që unë sot jam këtu është pikërisht fakti se Shqipëria duhet të sigurojë një regjistër civil të saktë dhe të pajisë me dokumente identifikimi sipas standardeve të gjithë votuesit, një kohë të mjaftueshme përpara zgjedhjeve. Duhet punuar në drejtim të kodit zgjedhor dhe mendoj se duhet nxituar në këtë drejtim.”

Robert Bosh: “Për fat të keq drafti që është në diskutim për kodin zgjedhor nuk jep shanse për një numër të madh parlamentarësh femra në Kuvend.”

Përsa i përket projektit për modernizimin e regjistrit civili dhe sistemit të adresave. Ai është pjesë e asistencës prej 2.5 milion eurosh të KE./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro