Të flasësh për seks të sigurt dhe metoda kontraceptive bashkëkohore është akoma një tabu në shoqërinë shqiptare. Sipas specialistëve kjo vërtetohet pasi vetëm 8% e çifteve përdorin metoda kontraceptive. në ditën botërore të kontracepsionit, mjekët shprehen se në 430 qendrat e planifikimit familjar janë të pakët ata që drejtohen për të marrë falas një prej 4 metodave të ofruara.
Lumturi Mërkuri: “Vazhdon që të jetë tabu përdorimi i metodave kontraceptive dhe vetëm 8% e popullsisë shqiptare përdor metodat moderne kontraceptive, kryesisht shqiptarët vazhdojnë të përdorin metodën tradicionale që është një metodë e cila dështon si metodë që na çon në shtatzëni të padëshiruara dhe në aborte. Në të gjithë vendin, në çdo qendër shëndetësore në të gjitha poliklinikat në maternitete dhe në qendrat e planifikimit familjar prej vitesh shpërndajnë falas 4 metoda kontraceptive, që është prezervativi, është dipoprovera apo gjilpëra, janë tabletat, është DU-ja apo spiralja që njihet në gjuhën popullore.”
Duke siguruar se asnjë prej metodave kontraceptive nuk është e dëmshme për shëndetin e femrës apo mashkullit , mjekët kërkojnë përdorimi sa më të gjerë të tyre. Ata argumentojnë se metoda tradicionale që përdoret nga çiftet gjatë marrëdhënieve nuk është e sigurt e për pasojë kemi shumë shtatzëni të padëshiruara./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami