Pas alarmit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë mbi rrezikun e prekjes nga gripi i derrit edhe në Shqipëri, specialistët janë vënë në lëvizje për të kontrolluar  situatën. Dy ministritë ajo e shëndetësisë dhe ministria e bujqësisë kanë zhvilluar një mbledhje për marrjen e masave konkrete , ndërsa deklarojnë se aktualisht nuk ka vend për panik.

Arben Ivanaj: “Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar me të ashtuquajturin infeksioni i virusit të derrit, nuk ka vend për panik apo për ndryshim të sjelljeve tona të përditshme. Situata epidemiologjike në vend po ndiqet me vëmendje nga ministria e Shëndetësisë, ministria e Bujqësisë.”

Ndryshe nga gripi shpendëve H5N1, gripi i derrit i identifikuar si H1N1, i tipi A, nuk transmetohet nga konsumimi i mishit apo kontakti me këtë kafshë, por merret nga njeriu tek njeriu, si gripi i normal, pasi është një kombinim i geneve të virusit të derrit, të shpendëve dhe njeriut.

Silvia Bino: “Ky grip quhet AH1N1, baza kryesore e këtij virusi janë komponent të virusit të derrit. Ka në përbërje të vet komponent të virusit të derrit, gripit të derrit dhe të gripit të shpendëve dhe të njeriut. Transmetimi është i njëjtë, deri tani, nga të dhënat që kemi deri tani ashtu si i gripit të zakonshëm.”

Ky virus konsiderohet vdekje prurës, ai ka simptoma të ngjashme me gripin. specialistët deklarojnë se  nuk ka asnjë vaksinë që të mbron prej tij, por është provuar se është i ndjeshëm ndaj disa medikamenteve.

Silva Bino: “Simptomat e tij janë të ngjashme me ato të gripit të zakonshëm, për momentin nuk ka vaksinë, por ka pasur një ndjeshmëri mjaft të mirë ndaj antiviralëve ose Tamiviri ose Tamifluja dhe Zanamiviri ose Relenca.”

Duke qenë se përhapja e tij është nëpërmjet ajrit, specialistët kërkojë vëmendjen e qytetarëve, duke mbajtur një higjienë të mirë dhe kontaktin e menjëhershëm me mjekun në rast se shikojnë shenja të gripit./tvklan.al

Gazetare Brunilda Cami