Dita botërore e mjedisit e gjen Shqipërinë përballë shumë detyrave për mbrojtjen e tij.
Megjithatë kohët e fundit një pjesë e mirë e investimeve në vend janë kryer për rehabilitimin e zonave të nxehta.
Kryeministri Sali Berisha në një aktivitet të organizuar me këtë rast tha se qeveria e tij është e vendosur të marrë çdo vendim për mbrojtjen e mjedisit duke i dhënë përparësi të plotë atij.
Sali Berisha: “Është pikërisht ky qëndrim nga i cili ne udhëhiqemi. Të ndërmarrim studimet më serioze për të studiuar dëmin kumulativ të industrive që do ngrihen dhe t’i pengojmë ato në ngritje në çdo rast kur ky dëm kalon standardet e pranuara më të mira ndërkombëtare”.
PNUD-i dhe Banka Botërore zhvilluan një tjetër aktivitet në kryeqytet ku shpërndanë falas vazo me lule, fletëpalosje dhe një sërë objektesh të tjera me qëllim ndërgjegjësimin për mbrojtjen e ambientit.
Gulden Turkoz-Cosslet: “Programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri po punon ngushtë me agjencitë e tjera për reduktimin e emetimit të gazeve. Po punojmë dhe mbi kornizat ligjore mbi këtë çështje. Gjithsesi kjo është një ditë në të cilën të gjithë ne duhet të bëjmë diçka, qeveria, politikanët, të rinjtë, të mendojnë për mjedisin dhe ta mbrojnë atë si dhe të shtojnë zonat e gjelbërta”.
Shqipëria ka ratifikuar tashmë konventën e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimaterike si dhe protokollin e saj të Kiotos./tvklan.al
Gazetare: Danjela Kostandini