Në ditën ndërkombëtare të muzeve, xhubleta ka qenë kryefjalë e muzeut të Shkodrës.
Pjesëmarrës në një takim me rastin e kësaj dite diskutuan për elementët e krijimit të xhubletës, kësaj veshje karakteristike të vendit tonë.
File Kola, nga Malësia e Madhe, sot 72 vjece tregon për ruajtjen e kësaj trashëgimie.
File Kola, dijebërëse e xhubletës: E kemi në gjak xhubletën, e duam xhubletën, jemi të dashuruar pas xhumbletës për arsye se nuk ka shtëpi e nuk ka grua që edhe kur nuk e ka pasu është duke e bërë xhubletën.
Përveç elementeve të krijimit të xhubletës, në muzeun e Shkodrës janë ekspozuar edhe format e krijimit të elementëve të sermit që vendosen si zbukurime të pjesës së përparme të xhubletës.
Dionis Boriçi, tregon këtë pjesë të veçantë të punimit të sermit në formë artizanale.
Dionis Boriçi, artizan: Me filigram janë realizuar gjithmonë kryesisht stoli dhe zbukurime, dekorime të xhubletës, që janë motive të ndryshme, vijnë motive florale kryesisht, shqiponja.
Përgjegjesi i monumenteve të kulturës në Bashkinë Shkodër, Petrit Bilali, thekson se xhubleta është zgjedhur si element në ditën ndërkombëtare të muzeve për të treguar se xhubleta gjallon në Shkodër.
Petrit Bilali, përgjegjës i monumenteve kulturore në Bashkinë Shkodër: Është në muzeun e Shkodrës që mund të jenë të realizuara disa xhubleta të trojeve e të zonave të ndryshme të Shqipërisë por ne krahas tyre sollëm edhe dy elemente të dijebërjes së xhubletës.
Xhubleta shqiptare u bë pjesë e trashëgimisë së Unesco vitin e kaluar.
Klan News