Modelja Emina Cunmulaj ka jetuar në një fshat të Malit të Zi që quhet Nënelm deri në moshën 15-vjeçare, kur nisi modelingun. Ajo ka treguar për emisionin “Historia ime” në Tv Klan se hapat e parë kanë qenë me konkursin e modeleve Elite, ku ka marrë pjesë duke përfaqësuar Jugosllavinë në vitin 2001, dhe pastaj agjencia Elite i ofroi një kontratë botërore të cilën e pranoi.
Më pas ka jetuar në Milano, Paris, Amsterdam dhe kur ishte 18 vjeçe, vendosi të kthehej në SHBA për të përfunduar studimet, por arriti vetëm të mbaronte shkollën e mesme.
Mirela Milori: Si ndodhi që u bëre modele?
Emina Cunmulaj: Nuk e di, ndonjëherë pyes vete si është e mundur që një vajzë që është rritur në fshat, në një kohë kur gruaja nuk kishte të drejtë të votonte, një kohë kur femra nuk kishte të drejtë të punonte, që nuk kishte mundësi të vishte se çfarë të donte, një grua që nuk kishte të drejtë të ngiste makinën. Unë nuk e di, Universi i bën këto gjëra të mrekullueshme. Kur i thashë unë mamit dhe babit do të bëhem modele, mami tha menjëherë që vajza ime nuk zhvishet lakuriq asnjëherë. Njerëzit, familjarët, katundi thoshin do të bëhet vajza prostitutë. Ishte një tmerr, por unë duke i thënë babit që ti më njeh më mirë se gjithkush, më ke rrit si mashkull, më ke rrit si djalë. Unë më parë kam shkuar të gjuaj peshk sesa kam ditur të gatuaj. I thashë duhet të kesh më shumë besim tek unë.
Kam qenë shumë e guxmishme në atë kohë si fëmijë me i thënë babit fjalë të tilla. Nuk ka ekzistuar që një vajzë 14 vjeç të ngrihet dhe t’i thotë kështu babës së vet. Unë kam lyp motorin kur kam qenë 14 vjeç se unë kam thënë jam një nxënës i shkëlqyeshëm, pse unë nuk kam një motor, pse vetëm djemtë të vozitin motor? Ai ma ka premtuar, atë natë nuk do e harroj kurrë, e kam dëgjuar duke folur me mamin dhe të nesërmen më tha nuk bën motori. /tvklan.al