Qëndrimi i Greqisë rreth pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar. Me këto fjalë Ministrja e Punëve të Jashtme greke, Dora Bakojanis, i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për njohjen e pavarësisë së Kosovës duke argumentuar se Athina do ta ndërmarrë këtë hap në përputhje me interesat e veta kombëtare dhe të rajonit.
Gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, Bakojanis, e cila nënvizoi se ndodhej në Prishtinë në cilësinë e kryesueses së OSBE-së, u takua me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi.
Hashim Thaçi: “Raportet e Kosovës me Greqinë janë raporte shumë të mira. Janë raporte bashkëpunimi të shumanshëm. Greqia ka pranuar pasaportat e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës mund të lëvizin në Greqi. Gjithashtu, edhe vetë vizita e ministreshës është një vizitë për të përshëndetur progresin e arritur në Kosovë dhe Greqia është pjesë e këtij progresi dhe kësaj fryme pozitive në Kosovë në të gjithë këtë periudhë të tranzicionit”.
Liderët kosovarë falënderuan Greqinë për ndihmën e vazhdueshme që po i jep Kosovës dhe njëherësh kërkuan nga ky vend njohjen e pavarësisë.
Fatmir Sejdiu: “I prezantova zonjës ministre po kështu qëndrimin tonë, përmbushjen e kritereve më të mira të mundshme për të pas një funksionalitet aktiv, të gjithmonshëm të demokracisë dhe të shtetit ligjor”.
Përsa i përket Ballkanit Bakojanis konfirmoi problemet me Republikën e Maqedonisë, duke shtuar nga ana tjetër se marrëdhëniet e Athinës me Tiranën janë shumë të mira.
Dora Bakojanis: “Së pari ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me popujt e rajonit. Nuk kemi asnjë problem me Shqipërinë. Tashmë është futur në procedurë në parlament nënshkrimi i protokollit për anëtarësim të Shqipërisë në NATO dhe është çështje kohe kur do të merret ky vendim. Gjithashtu kemi ratifikuar edhe MSA-në Shqipëri-Bashkimi Evropian.”
Një ditë më parë shefja e diplomacisë greke vizitoi Beogradin. Greqia është një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur shtetin e Kosovës./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle