Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ka reaguar të mërkurën pas dorëheqjes së homologut të tij grek, Nikos Kotzias.

“Ka pak gëzime në këtë profesion, por ato më të çmuarat rrjedhin nga bashkëpunimi i vërtetë dhe fryma e kolegjialitetit. Faleminderit Nikos Kotzias për përpjekjet në hapjen e përbashkët të një faqe të re bashkëpunimi, besimi dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes vendeve tona”,

shkroi Bushati në një postim në rrjetet sociale.

Që prej vitit 2015 kur Kotzias mori postin e shefit të diplomacisë greke, ai ka bashkëpunuar me Bushatin për hapjen e një faqeje të re në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe arritjen e një sërë marrëveshjesh, më e rëndësishmja e të cilave është ajo për detin, ende e pafinalizuar.

Kotzias ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij këtë të mërkurë.  Lajmi është bërë i ditur nga mediat greke, sipas të cilave motiv për dorëheqjen mendohet të jenë bërë pakënaqësitë brenda koalicionit qeverisës. Burimet e së përditshmes greke “Kathimerini” flasin për një përplasje mes Kotzias dhe ministrit të Mbrojtjes Panos Kamenos që ka ndodhur ditën e djeshme në mbledhjen e qeverisë. /tvklan.al