Lajme Arkiva 2003
Pak orë pas dorëheqjes ish zëvendës kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta doli përpara gazetarëve për të shpjeguar arsyet e largimit. Pasi bëri një pasqyrë të punës në krye të diplomacisë zoti Meta tha se nuk ndante të njëjtin koncept me kryeministrin Fatos Nano, për politikën e jashtme dhe qeverisjen.
Ilir Meta: Unë dhe zoti Nano ndajmë koncepte krejtësisht të ndryshme. Jo vetëm mbi politikën e jashtme, por edhe mbi shtetin dhe qeverisjen në përgjithësi.
Zoti Meta tha se nuk synonte rrëzimin e qeverisë.
Gazetari: Do të ndikoni me mbështetësit tuaj si në qeveri apo edhe në grupin e ligjzvënësve socialist për të rrëzuar përfundimisht qeverinë e zotit Nano? Dhe nëse do të ketë nevojë për ristrukturim çfarë qëndrimi do të mbani?
Ilir Meta: Unë asnjëherë nuk kam patur synim rrëzimin e qeverisë së zotit Nano, për arsye sepse unë bashkohem me një kolegun tim politikan që ka thënë se në Shqipëri nuk është burrëri të rrëzosh qeverinë, por është burrëri të mbash qeveri. Në kuptimin se qeveritë mund të rrëzohen shumë lehtë, për arsye se çdo qeveri është e detyruar të përballohet me probleme dhe me sfida të rëndësishme të vilat nuk është e lehtë për ti zgjidhur.
Meta ka vërejtur më pas se Partisë Socialiste i ka dalë nga kontrolli qeveria e cila është shndërruar në një qeveri personale të zotit Nano. Po ashtu Meta ka thënë se kryesia e partisë ka dështuar në gjetjen e zgjidhjes së problemeve. Meta i ka ngarkuar faturën e mundshme të humbjes zgjedhore të tetorit kryetarit të Partisë Socialiste.
Ilir Meta: Përpjekjeve të zotit Nano për të faturuar përgjegjësitë e ndonjë rezultati te zoti Meta duhet t’ju bëj të qartë të gjithëve se tashmë çdo faturë i takon zotit Nano.
Meta ngulmoi se kishte përkrahje të madhe në grupin parlamentar. Ai konsideroi dorëheqjen krejt personale dhe aspak të detyruar. Meta është distancuar nga qeveria, por premtoi se nuk do të luftojë për hedhjen e kabinetit. Pas këtyre deklaratave të zotit Meta rezoluta e kryesisë së Partisë Socialiste nuk ka më kuptim. Ajo nuk u respektua më nga palët ndaj mund të konsiderohet e pavlefshme./tvklan.al