Stuhia e fuqishme u drejtohet brigjeve të SHBA
Këto pamje të njerëzve që përpiqen të shpëtojnë mes ujërave të furishëm të përmbytjeve tregojnë momentet e vështira që përjetuan banorët e Bahamasit, nga pasojat e uraganit Dorian, i konsideruar si ndër më të shkatërrimtarët në historinë e këtyre ishujve.
Bilanci i të vdekurve është thelluar në 5. Të shumtë janë edhe të zhdukurit e të plagosurit. Dëmet përllogariten në 13 mijë ndërtesa të shkatërruara e mijëra automjetet të dala jashtë përdorimit nga përmbytjet.
Dorian humbi fuqinë duke zbritur në kategorinë 2, por autoritetet mbeten të alarmuara, pasi kjo është një dukuri e uraganeve të fortë, që fillimisht humbasin intensitetin, për të goditur më pas me fuqinë maksimale, atë të kategorisë 5, ku shpejtësia e erës i kalon 300 km/h.
Sakaq, në rrjetet sociale vijojnë të publikohen xhirime të banorëve gjatë kulmit të fuqisë së uraganit.
Uragani pritet të godasë Floridan në orët e vona të kësaj të marte, ose pas mesnate. Rreth 1.5 milionë qytetarë janë evakuuar në Florida, Xhorxhia dhe Karolinën e Jugut.
Tv Klan