Borussia Dortmund mundi Paris Saint Germain 1-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, duke siguruar një avantazh të çmuar përpara ndeshjes së kthimit. Heroi i mbrëmjes në “Iduna Park” është Niklas Fylkryg, i cili në minutën e 36-të shënoi golin që vendosi takimin. Ekipi i Luis Enrikes tentoi të reagonte në pjesën e dytë, duke goditur dy shtylla.
Finalisti do të vendoset më 7 maj në “Park dë Prins”. Për trajnerin e “verdhezinjve”, Edin Terziç, asgjë nuk ka mbaruar. “Ka ende shumë për të luajtur! Ne e dimë se ndeshja e javës së ardhshme do të jetë një tjetër histori! E ndjemë këtë herë dhe e kemi ndier edhe në Paris në fazën e grupeve. Kur lojtarët e tyre japin më të mirën, veçanërisht në sfidat në shtëpi, nuk është aq e lehtë! Kjo është arsyeja pse ata janë në gjysmëfinale! Kjo është cilësia që ata kanë!”
Ndërsa tekniku Luis Enrike tha në konferencën për shtyp se ekipi duhet të ishte treguar më i saktë në finalizim. “Mendoj se ndeshja ishte shumë e barabartë, shumë e vështirë! Ndoshta në pjesën e parë ishim më pak intensivë në sulm, pa krijuar realisht ndonjë rrezik. Pjesa e dytë ishte plotësisht ndryshe. E vetmja gjë që ka rëndësi, është se ne nuk do të dorëzohemi deri në minutën e 98. Ky është objektivi ynë. Nuk kemi gjë për të humbur! Duam të fitojmë një gjysmëfinale!”
Paris Saint-Germain ka pësuar të paktën një gol në 19 transferta radhazi në Ligën e Kampioneve, seria më negative në historinë e parisienëve në këtë kompeticion.
Klan News