Real Madrid shpreson të shmangë Manchester City-n në raundin play-off të Champions League. Kampionët në fuqi të kompeticionit do të peshkojnë njërën mes Celtic dhe gjigantit anglez, me shortin që do të hidhet këtë të premte.
“Kur luani në kompeticionet europiane, preferoni të luani me ekipe jashtë kampionatit tuaj. Në teori, City do të jetë rival më i vështirë, ka më shumë gjasa se Celtic për të fituar Ligën e Kampionëve duke pasur parasysh skuadrën dhe cilësinë. Pra, është një pyetje mjaft e lehtë për t’u përgjigjur. Nuk na pëlqen të luajmë kundër City-t, por nëse duhet të luajmë kundër tyre, do t’i luajmë si vitet e tjera”, tha Carlo Ancelotti.
Anglezët do sfidojnë në këtë raund njërën, mes Bayern Munich dhe Real Madrid.
“Nuk e di nëse ata janë të lumtur të luajnë kundër nesh. Real Madrid është mbreti i konkursit, ndërsa Bayern, i dyti ose i treti në historinë e kompeticionit. Ata janë favoritë pasi janë më të mirë se ne. Nuk e di se çfarë do të ndodhë pas dy javësh”, tha Pep Guardiola.
Paris Saint-Germain rrezikon të përballet me ekipet franceze, Brest dhe Monako, por edhe Benfikën. Gjithsesi, për teknikun Luis Enrique misioni për t’u kualifikuar në raundin play-off ishte ai që kërkohej prej parisienëve.
“Dua të kujtoj se kishim rivalët më të fortë nga 36 skuadrat në garë. Kjo shkaktoi pak zhgënjim në ndeshjet e para, por mendoj se kemi arritur qëllimin. Objektivi ishte kualifikimi. Nuk ka rëndësi se me kë luajmë në raundin tjetër. Jemi një nga skuadrat më të reja në kompeticion, por futboll nuk luhet me kartë identiteti. Duam të fitojmë çdo kompeticion ku marrim pjesë. Ky është qëllimi.”, tha Luis Enrique.
Në takimet e tjera, goglat mund të rezervojnë një përplasje tërësisht italiane mes Milanit dhe Juventusit.
Klan News