Partia Demokratike e konsideron vendimin e SPAK-ut që shpalli moskompetencën për dosjen 184 si një minë për besimin e opinionit te Reforma në Drejtësi.
Gjatë një konference për shtyp këtë të mërkurë, ish-deputeti Enkelejd Alibeaj deklaroi se drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, ka vepruar kundër interesave të Shqipërisë.
“Vendimi i tij i paligjshëm dhe politik për të mos hetuar krimin e rëndë të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër i shërben kreut të grupit të strukturuar kriminal, Edi Rama, i cili urdhëroi masakrën elektorale të Dibrës 3 vjet e gjysmë më parë. Ky është një nga ato vendime që minojnë besimin e opinionit publik tek reforma në drejtësi, për të cilën janë hedhur miliona euro dhe dollarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve në nivele të larta. Duke mos lejuar SPAK-un të hetojë skemën e vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, duke mos lejuar të zbulohet zyrtarisht cili ishte roli i Edi Ramës, çfarë detyre i dha Damian Gjiknurit, sa para hodhën në fushatë për blerjen e votës dhe frikësimin e votuesve, cili është burimi i këtyre parave, cilat ishin grupet e drogës që përfshiu në zgjedhje Partia Socialiste, Arben Kraja ka vepruar kundër interesave të Shqipërisë”.
Sipas Alibeajt, Kraja mashtron për llogari të Ramës, pasi SPAK është ngritur me një qëllim të vetëm, që të çojë para drejtësisë politikanët që shkelin ligjin.
Me këtë vendim, sipas Alibeajt, SPAK është në rrezik që të kthehet në një shtojcë të qeverisë.
“Politikisht, Partia Demokratike shpreh keqardhjen që, për shkak të drejtuesit të saj, shërbëtor të Edi Ramës, SPAK-u ka marrë një goditje të rëndë në imazhin si organ i pavarur. Partia Demokratike e ka bërë të qartë prej fillimit se ajo nuk do të paragjykojë punën e këtij organi, i cili është i vetmi nga organet e reja të drejtësisë që ne kemi votuar me garancinë e partnerëve tanë. Partia Demokratike ka paralajmëruar gjithashtu, se dosjet 339 dhe 184 për shitblerjen e votave janë një nga testet e mëdha, nëse do të kemi apo jo SPAK të vërtetë, siç e presin shqiptarët. Me vendimin për të refuzuar hetimin e dosjes 184, Arben Kraja, tregoi se SPAK është në rrezik të kthehet në një shtojcë të partisë në pushtet dhe kryeministrit të vendit, duke dëmtuar rëndë imazhin, integritetin dhe besimin e shqiptarëve tek Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion”.
Prokuroria e Dibrës ia delegoi me 22 Janar dosjen 184 SPAK-ut. Por vetëm një javë pasi u shqyrtuan materialet në këtë Prokurori, çështja u rikthye sërish në Dibër dhe SPAK-u shpalli moskompetencë për çështjen, që u bë e njohur pas publikimit të disa përgjimeve nga gazeta gjermane BILD, ku dëgjoheshin funksionarë të lartë të Partisë Socialiste të cilët komunikonin me zyrtarë, biznesmenë dhe policinë lokale mbi rezultatin e zgjedhjeve./tvklan.al