Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në Gjykatën Kushtetuese ka mbërritur ankimimi ndaj Gjykatës së Lartë, lidhur me një vendim për të pandehurin Arben Grori, i cili është dënuar nga drejtësia italiane me burgim të përjetshëm. Grori u dënua në mungesë për vrasjen e shqiptarit Naim Zyberi në një spital të Milanos, të kryer në vitin 98. Ai ndodhet aktualisht i paraburgosur në Shqipëri, për akuzën e trafikimit ndërkombëtar të heroinës.

Pasi Gjykata e Rrethit të Tiranës nuk e njohu këtë vendim, Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e dosjes për rishqyrtim, në gjykatën e shkallës së parë. Avokatët kërkojnë, që vendimi të shpallet anti-kushtetues, që bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë. Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos të shqyrtojë këtë çështje, vendimi që do të japë sido që të jetë ai, do të ketë efekte për të gjitha çështjet e këtij lloji.

Ndryshe nga Gjykata e Tiranës për çështjen Grori, gjykata si ajo e Fierit dhe e Elbasanit, kanë vepruar ndryshe në raste të tilla. Kështu është njohur vendimi i Gjykatës së Torinos për dënimin e kunatit të ish-shefit të policisë së Elbasanit Edmond Koseni, apo për Kuqon e Beratit, i dënuar nga gjykata e Milanos për burg të përjetshëm për vrasje dhe trafik prostitucioni./tvklan.al