Biznesmeni Pëllumb Gjoka, i arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza” i dyshuar për disa vepra të rënda penale, ka përfunduar në spital.

Burime për gazetaren e Klan News, Glidona Dacin, bëjnë me dije se Gjoka ka thyer këmbën gjatë kohës që ishte duke u marrë me aktivitete sportive në paraburgimin 313 dhe sot është dërguar në një spital privat për të kryer ndërhyrjen kirurgjikale.

Prej Korrikut të vitit të kaluar, Gjoka mbahet në paraburgim për disa akuza të rënda penale, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.

Pëllumb Gjoka u arrestua pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC, ku në pranga përfunduan efektivë policie, prokurorë e ish-prokurorë./tvklan.al