Skenari i një ndarjeje ndryshon nga një person te tjetri dhe përjetimi vjen në forma nga më të ndryshmet. Disa mbyllen në vetvete, të tjerë zhyten në punë, kërkojnë mënyra si të kontaktojnë ish-in apo edhe të ‘hakmerren’.

Në rastin e Dasara Karaiskajt, ka ndodhur ajo që vajzat bëjnë më shpesh: një (ose disa) gota alkool dhe ndryshimi i modelit të flokëve. Gjatë bisedës në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, gazetarja tregon si e ka përjetuar ndarjen nga një ndjenjë e madhe dashurie.

Dasara Karaiskaj: Le të themi që unë kam bërë nga pak nga të gjitha. Në përgjithësi, baza kur sapo ka ndodhur dhe çështja është e nxehtë, marr shoqet e mia të ngushta dhe do të dalim njëherë që ta pijmë këtë muhabet me pak alkool.

Ermelinda Ndoja: Terapia më e mirë.

Dasara Karaiskaj: Pastaj fillon ajo lufta për të mos i shkruajtur etj, me shpresën që mos të na dalë përpara por në fakt do të donim të na dilte përpara. Janë këto ndjesitë që për mua janë procese shumë të bukura. Këto janë procese që e bëjnë njeriun të jetojë akoma, të jetojë gjithmonë pavarësisht se… kam dëshirë që mos ta trajtoj ndarjen si një gjë dramatike, pavarësisht se ka dramën e vet. Dua ta lidh me dashurinë sese dhimbja e vërtetë e një ndarjeje qëndron shumë e lidhur ngushtë me dashurinë, prandaj po bëj këto lloj krahasimesh ose sigurisht ka pastaj procese ku ti, unë e kam bërë për shembull, për herë të parë e kam bërë kur kam qenë 30 vjeç, ndoshta edhe më e vogël, domethënë afër të 30-ës kur u ndava nga një histori e madhe që jetoja shumë me një ndjenjë, më tepër sesa një histori, ishte një ndjenjë shumë e madhe dashurie dhe preva flokët, pastaj pashë filmin e Coco Chanel që ishte shprehja klasike “një grua që ndërron modelin e flokëve, është një grua që ndryshon jetën”./tvklan.al