Në Ditën e Drejtësisë, në një takim me gjyqtarët kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi vuri theksin tek mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare ndërkohë që numri i dosjeve sa vjen dhe shtohet.
“Gjykatat kanë mangësi të theksuar në infrastrukturë. Një gjykatë qoftë edhe periferike, seancat gjyqësore zhvillohen në sallë gjykimi, ndërsa në kryeqytet seancat zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve. Kanë mungesë të ndjeshme të burimeve njerëzore, kryesisht në këshilltarë, ndihmës ligjorë, sekretarë ligjorë dhe në stafin ndihmës administrativ.”
Sadushi tha se kjo situatë është kritike në të gjitha gjykatat e vendit.
“Mosrespektimi i afatit ligjor për përfundimin brenda muajit Qershor të çdo viti të procedurave të transferimit paralel dhe të ngritjes në detyrë, e ka kthyer në rregull mosshpalljen brenda muajit Korrik të vendeve të lira dhe caktimin në pozicion të magjistratëve të sapodiplomuar. Gjyqtarët vijojnë të trajtohen me koeficientin 0.36% të pagës së Presidentit të Republikës që është dukshëm jo vetëm nën nivelin e pagës së kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit, por edhe nën nivelin e pagës së anëtarëve të enteve rregullatore që vijnë nga Parlamenti.”
Sadushi nxiti përfaqesuesit e pushtetit gjyqësor që të kërkojnë prej parlamentit dhe qeverisë përmbushjen e detyrimeve kushtetuese e ligjore.
Klan News