“Autori i atentatit ndaj ish-Presidentit, Donald Trump besohet të ketë kërkuar në internet një javë para sulmit të dhëna mbi vrasjen e presidentit amerikan John Kennedy”, tha gjatë dëshmisë së tij të mërkurën drejtori i FBI-së, Christopher Wray.
Por drejtori Wray shtoi se ndonëse atentatori kishte treguar interesim të shtuar rreth figurave publike, ai nuk ka lënë prapa gjurmë të qarta rreth motiveve ideologjike.
Sipas Wray, autori i sulmit Thomas Matthew Crooks kërkoi në internet përgjigje për pyetjen se “sa ishte distanca ndërmjet Oswaldit dhe Kennedy-t?”, duke iu referuar Lee Harvey Oswald-it, i cili vrau me snajper Presidentin Kennedy në vitin 1963, në Dallas.
Drejtori Wray i zbuloi këto detaje para ligjvënësve të Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve si pjesë e informacioneve të reja të ofruara nga ai rreth sulmit të 13 Korrikut në tubimin zgjedhor të zotit Trump në Batllwr të Pensilvanisë.
Hetimet e FBI-së e kanë vënë agjencinë në mes të stuhisë politike pak muaj para zgjedhjeve presidenciale, me ligjvënësit dhe publikun që kërkojnë me ngulm detaje për motivet që nxitën autorin e sulmit, përpjekja më serioze për të vrarë një president apo kandidat presidencial që nga atentati ndaj Presidentit Ronald Reagan në vitin 1981.
FBI-ja ka ndërtuar një orar të detajuar të lëvizjeve dhe aktiviteteve në internet të autorit të sulmit, por motivi i saktë, ose arsyeja se përse zoti Trump ishte objektivi i tij, mbesin të panjohura, deklaroi zoti Wray.
“Shumë nga burimet e zakonshme të informacionit ende nuk kanë dhënë ndonjë rezultat që ia vlen të përmendet sa i përket motivit apo ideologjisë,” tha ai. Wray theksoi se autori i sulmit kishte treguar interesim të shtuar ndaj figurave publike. Krahas Trump, Crooks kishte në telefonin e tij fotografi të Presidentit Joe Biden dhe figurave tjera kryesore dhe se në ditët para sulmit ai dukej i interesuar në veçanti për zotin Trump.
Sipas Wray, dy orë para sulmit, Crooks përdori një dron rreth 180 metra nga skena e tubimit ku zoti Trump qëndroi më vonë. Crooks i kishte transmetuar drejtpërdrejt inçizimet nga vendi i ngjarjes dhe i kishte riparë regjistrimet më vonë. Përdorimi i dronit në afërsi të tubimit vetëm disa orë para se zoti Trump të qëndronte në skenë, nxiti pyetje shtesë rreth mangësive të masave sigurisë para ngjarjes.
Wray u tha ligjvënësve amerikanë të mërkurën se institucioni i tij “do të bëjë të gjitha përpjekjet” për të zbuluar se çfarë e shkaktoi dështimin e autoriteteve për të parandaluar atentatin ndaj ish-Presidentit Donald Trump.
“Prej kohësh kam thënë se jetojmë në një ambient me kërcënime të shtuara. Dhe atentati ishte një shembull tragjik dhe veçanërisht i neveritshëm i një ambjenti të tillë”, tha drejtori Wray në dëshminë e tij. “Do të bëjmë çmos. Vrasësi ka vdekur, por hetimet e FBI-së po vazhdojnë.”
Drejtori Wray, po dëshmon në një seancë në Kongres mbi hetimin e byrosë lidhur me atentatin ndaj ish-presidentit Donald Trump. Ligjvënësit pritet t’i kërkojnë atij detaje të reja mbi motivin dhe të kaluarën e autorit të sulmit.
Seanca në Komisionin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve është hera e parë që zoti Wray flet në detaje mbi ngjarjen, ndërsa agjentët vazhdojnë të kryejnë hetime mbi 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks. Por seanca mbi atentatin ndaj Trump u mbajt nën hijen e përçarjeve partiake brenda komisionit.
Seanca ishte planifikuar shumë përpara sulmit ndaj ish-Presidentit Trump më 13 Korrik, në kuadër të mbikëqyrjes rutinë mbi FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë nga Komisioni, por pyetjet rreth atentatit po dominojnë.
Në fillim të seancës, kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësi republikan Jim Jordan tha se ai pret që drejtori Wray t’u përgjigjet pyetjeve rreth ngjarjeve që kanë ndodhur para, gjatë dhe pas incidentit, por shprehu dyshimet se do të marrë përgjigje edhe para se të fillonin pyetjet.
“Jam i sigurt se e kuptoni që një pjesë e konsiderueshme e vendit është skeptike rreth aftësisë së FBI-së për të zhvilluar një hetim të drejtë, të sinqertë, të hapur dhe transparent,” deklaroi ai.
Ligjvënësi demokrat Jerrold Nadler e dënoi sulmin ndaj ish-Presidentit Trump “pa mëdyshje dhe me forcë”, por në komentet e tij vuri theksin tek kërcënimet dhe dhuna politike ndër vite si dhe tek retorika e dhunshme, siç tha ai, nga ana e republikanëve, përfshirë nga vetë zoti Trump.
“Nëse mendoni që ky plumb i atentatorit ishte i befasishëm dhe jo pjesë e një vale të dhunës që po kërcënon vendin tonë me vite, atëherë nuk e keni kuptuar thelbin,” deklaroi ai.
Deri më tani ndaj FBI-së nuk janë ngritur të njëjtat shqetësime si ato me të cilat u përball Shërbimi Sekret, që çoi në dorëheqjen e drejtores Kimberly Cheatle. FBI ka thënë se po e heton ngjarjen në Batlwr të Pensilvanisë, nga e cila gjeti vdekjen një pjesëmarrës në tubim dhe dy të tjerë u plagosën rëndë, si një akt terrorizmi të brendshëm dhe tentativë për vrasje./VOA