Në kuadër të operacionit policor të koduar “Time” është vënë në pranga 47-vjeçari me iniciale G.M., i cili ishte shpallur në kërkim për tentativë vrasje. Në momentin e ndalimit në një nga rrugët e Shkodrës, gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një pistoletë me një krehër me fishekë.

Ai ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

47-vjeçari akuzohet se më datë 11 Maj 2024, në lagjen “Salo Halili” të Shkodrës ka qëlluar me armë zjarri, për motive të dobëta në drejtim të 24-vjeçarit me iniciale J. O., i cili u dëmtua në këmbë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al