Zgjedhjet, liberalizimi i vizave si dhe reformat ishin momentet ku u ndalën gjatë kryetari i qeverisë Sali Berisha dhe drejtori për zgjerim në KE Michael Leigh. Ky i fundit do të nënvizonte pikërisht momentin historik të vizitës së tij që përkon me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Michael Leigh: “Marrëveshja e Stabilizimin Asociimit është hapi i vetëm kontraktual që i nevojitet vendit për të ecur drejt hapave të tjerë që garantojnë anëtarësimin. MSA-ja luan rol thelbësor për të arritur këtë objektiv.”
Kryeministri i mëshoi faktit se integrimi është një proces i pandalshëm.
Sali Berisha: “Qeveria ime e koncepton kandidimin për anëtare të BE-së si një proces i cili duhet të ndjekë të gjitha rregullat, procedurat dhe se Shqipëria dhe shqiptarët dua tu faktoj të gjithave vendeve anëtare përkushtimin e tyre ndaj një procesi zgjedhor të lirë dhe ndershëm të denjë për një komb dhe një vend demokratik evropian.”
Zgjedhjet u konsideruan një moment i rëndësishëm. Berisha ofroi garanci qeveritare për proces të ndershëm dhe zyrtari i lartë europian besimin se kjo do të ndodhë.
Michael Leigh: “Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është një kusht themelor për anëtarësim. Kryeministri më shpjegoi planin qeveritar për të përshpejtuar procesin e shpërndarjes së kartave dhe besojmë se kjo do të bëjë të mundur që Shqipëria të tejkalojë problemet me regjistrimin e votuesve që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrën më të mirë të mundshme.”
Sali Berisha: “E sigurova nëpërmjet zotit Michael Leigh KE-në se qeveria ime është vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm si qëllim i saj më i parë. Sikundër kërkova që komisioni të inkurajojë vendet anëtare të BE-së për të sjellë numrin me madh të mundshëm të vëzhguesve”
Kryeministri bëri publik një vendim të qeverisë që lidhet me procesin zgjedhor, por që merr në konsideratë ambicien e vendit për të liberalizuar vizat.
Sali Berisha: “Sot ne kemi vendosur të bllokojmë tërësisht lëshimin e pasaportave për ti dhënë përparësi për letërnjoftimeve për shkak të votimeve. Komisioni të dërgojë një ekip në fillimin e vjeshtës në mënyrë që të njihet me progresin e bërë në fushën e lëshimit të pasaportave në mënyrë që të mund të merren vendimet e duhura.”
Drejtori për zgjerimin Leigh bëri skaner të progresit të vendit në fushën e reformave. Konsensusi politik në këtë drejtim u vlerësua, por Leigh tha se duhet ruhet pavarësia e gjyqësorit dhe institucioneve kushtetuese. Vlerësim morën përpjekjet qeveritare në luftën ndaj korrupsionit.
Michael Leigh: “Përgëzova kryeministrin për progresin real në këtë drejtim, por sfidat mbeten jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Që prej progres-raportit nëntorit të shkuar Shqipëria ka shënuar progres në fusha të rëndësishme që kanë të bëjnë me standardet evropiane. Progres është shënuar në menaxhimin e kufijve dhe trafiqet e paligjshme. Presim progres më tejshëm në sigurinë e dokumenteve dhe pajisjen me pasaporta biometrike është e rëndësishme.”
Krahas takimeve me autoritetet e larta kryeministrin dhe kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, Leigh do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të donatorëve. Shqipëria është zgjedhur për organizimin e saj, ku do të shpallet paketa e unionit për të ndihmuar ato vende që janë prekur nga kriza financiare./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi