Mbi 2000 të dënuar që vuajnë dënimin në burgjet shqiptare janë të gatshëm të votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Kreu i burgjeve Gaz Dibra deklaron për Klan se në burgjet më të mëdha ka mbaruar procesi i pajisjes me letërnjoftimet elektronike.
Gazment Dibra: “Pothuajse 50% e institucioneve apo të dënuarve, kanë mbaruar të gjithë institucionet e vuajtjes së dënimit të Tiranës, Durrës, në Lezhë, Burrel. Sot ata janë në Peqin dhe në Rrogozhinë. Më vonë do kalojnë në Durrës, Korçë, Tepelenë dhe pothuajse procesi është i mbyllur.”
Në Shqipëri numërohen rreth 4000 të dënuar. Si gjithë të tjerët dhe kjo kategori personash gëzon të drejtën e votës. Dibra deklaron se pavarësisht rasteve të refuzimit për t’u pajisur me dokumentin e ri, numri i tyre është thuajse i papërfillshëm.
Gazment Dibra: “Ka pasur disa, pra janë, është një kategori që ka refuzuar. Në proces verbalet që kemi mbajtur lidhur me refuzimin e tyre, sepse është bërë një procedurë e mbajtjes së proces verbalit, kanë qenë arsye ndoshta për disa arsye të shëndetit mendor të tyre, të tilla raste ka pasur dhe sigurisht nuk mund t’i detyrosh që t’i bësh. Ka pasur dhe raste të tjera të cilët, personi ka refuzuar ta marri.”
Në kuadër të parapërgatitjeve të zgjedhjeve që do të mbahen në 28 qershor, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gaz Dibra deklaron se përveç garantimit të mbarëvajtjes së këtij procesi, ai do të monitorohet edhe nga komisionar të huaj dhe vendas.
Gazment Dibra: “Nuk veçohet sistemi penitenciar apo të dënuarit nga monitorimi i kujtdo organizate, i kujtdo instrumenti, enti, agjencie e cila do monitorojë zgjedhjet. Nuk është rast i veçantë, votimi i të dënuarve është një rast si gjithë të tjerët.”
Kontingjenti i të dënuarve shpesh është bërë objekt i raporteve negative që shoqatat që garantojnë të drejtat e njeriut kane trumbetuar me zë të lartë. Sot shqiptarët kanë në duar një dokument të standardeve të larta , me të cilin mund të votojnë pa pyetur nëse ndodhen jashtë apo brenda hekurave të qelive./tvklan.al
Gazetare Anduena Llabani