Nuk ishte hera e parë që i dënuari Petrit Çakraj përfitonte leje nga instituti i vuajtjes së dënimit, po në asnjë rast nuk e kishte thyer rregullore, duke u kthyer brenda afatit të caktuar.
Drejtori i përgjithshëm i burgjeve Gazmend Dibra deklaron, se janë verifikuar të gjitha procedurat e dhënies së lejes dhe se ky rast nuk mund të cenojë të drejtat e të dënuarave të tjerë.
Gazmend Dibra: “Ai i dënuar ka marrë përsipër aventurën e tij, është pjesë e tij. Sigurisht ata janë persona me precedent, ku priten këto lloj veprimesh të pa kontrolluara. Megjithatë e përsëris, problemi i tij ka qenë jo me institucionet e burgjeve, por sipas tij me drejtësinë.”
Gazetarja: “Do jeni më të shtrënguar tashmë në dhënien e lejeve për të dënuarit pavarësisht sjelljes tyre të mirë?”
Gazmend Dibra: “Sigurisht diçka duhet parë, por nuk do të thotë që neve duhet të ndrrojmë mendim që këta njerëz duhet të trajtohen si njerëz në fund të fundit. Kështu që nuk ka pse të ketë ndonjë shtrëngesë përsa i përket kësaj pjese, duhet të shtrëngohen disa hallka. Këtu ka për të parë diçka nuk mund të jetë kaq e thjeshtë, por them edhe njëherë që trajtimi human i tyre është pjesë kryesore e jona, kjo ka më tepër rëndësi.”
Petrit Çakraj është i dënuar për vjedhje me dhunë dhe armëmbajtje pa leje. Mbi 6 vjet heqje lirie, dënim të cilin e ka përfunduar në datën 15/05/2006. Gjatë kohës që kishte vuajtur dënimin e parë në datën 03/03/2006 ai u dënua për një tjetër vepër penale me 6 vjet heqje lirie për veprën e mashtrimit. Rezulton se ai duhet të vuaj edhe 1 vit e 4 muaj heqje lirie, pavarësisht pretendimeve të tij për përfundimin e dënimit./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani