Brenda vitit 2013 mbipopullimi në burgjet shqiptare do të marrë fund. Një premtim që vjen nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Gazmend Dibra, i cili duke cituar shifrat zyrtare shpjegon se aktualisht 330 të paraburgosur dhe të dënuar rezultojnë të jenë mbi kapacitetin e burgjeve tona.

Drejtori Dibra shpjegon dhe strategjinë që ndiqet për strehimin e personave në institucionin e vuajtjes së dënimit dhe thotë, se janë në zbatim disa projekte të mëdha të ndërtimit të burgjeve të reja, të financuara nga Komisioni Evropian dhe nga qeveria shqiptare.

Gazmend Dibra: “Bëhet fjalë për sektorë për kategorinë e  grave dhe bëhet fjalë për sektorë të burgjeve të sigurisë së zakonshme. Brenda vitit 2013 mendoj se do kemi normalitet për sa i përket mbipopullimit”.

Dy elementët kyç të funksionimit të sistemit të burgjeve janë trajtimi i të dënuarve dhe krijimi i një sistemi të mirëfilltë sigurie, që e bën shoqërinë jashtë më pak të prekshme nga elementët kriminal që ndodhen brenda këtij institucioni.

Gazmend Dibra: “Këtu do përmendim sistemet e kameratizimit, të cilat janë sisteme që bëjnë kontrollin e gjithëkohshëm 24 orë për 24 orë të të gjithë aktivitetit brenda burgut. Për sa i përket sendeve të ndaluara janë marrë masa të jashtëzakonshme në mënyrë që ky problem të mos krijojë prishjen apo balancat e sigurisë brenda gjithë institucioneve. Në qoftë se do flasim për revolta ku janë pjesë dy momente, qoftë trajtimi jo i mirë, që mund të jetë një nga elementet e revoltave, qoftë çështja e sigurisë. Ne kemi vite që nuk kemi revolta në burgjet tona dhe ky është një element pozitiv që unë mendoj duhet vënë në dukje”.

Aktualisht në sistemin e burgjeve janë të angazhuar rreth 4 mijë punonjës ushtarakë dhe civilë, ndërsa numri i të dënuarve i kalon të 5 mijë vetët./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani