Mario Balotelli nuk do të transferohet te Genoa. Sulmuesi dukej shumë afër transferimit te klubi i Serisë A, për shkak të emergjencës në repartin e avancuar.

Trajneri Alberto Gilardino, kishte kontaktuar ditë më parë Balotellin, duke i premtuar vendin e titullarit në skuadër. Kur pritej finalizimi i transferimit, situata ka marrë një rrjedhë të papritur.

Drejtuesit e klubit kanë dalë kundër trajnerit, duke refuzuar të transferojnë 34-vjeçarin, i cili nga fundi i sezonit të kaluar është pa skuadër.

E ardhmja e trajnerit Gilardino gjithashtu nuk është e sigurt në stolin e Genoa-s dhe për këtë arsye drejtuesit po marrin kohë, duke mos u nxituar për të afruar një emër në sulm.

Klubi italian, shiti në verë Retegui-n dhe Gudmundsson, ndërsa sulmuesi tjetër Vitinha ka pësuar dëmtim të rëndë dhe për këtë arsye afrimi i një lojtari në këtë repart, është i detyrueshëm. /tvklan.al