Sistemi bankar duhet të tregojë më besim për të financuar projektet private në fushën e energjetikës.
Ministri Prifti u ka bërë thirrje bankave tregtare për të mbështetur investimet koncensionare për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël, pasi këto të fundit me ligj e kanë të garantuar shitjen e energjisë për një periudhë 15-vjeçare.
Dritan Prifti: “Unë mendoj që frika e sistemit bankar për të mos u përfshirë në investime, pra në financime të sistemit energjetik dhe sidomos hidrocentraleve është e pajustifikueshme, sepse në një kuadër ligjor pothuajse komplet ekziston, garancitë pothuajse komplet janë. Do t’ju ftoja që ta shohim më me precedencë kreditimin e këtyre tre lloj koncensionesh”.
Deklaratat erdhën gjatë një takimi me përfaqësues të bankave dhe operatorë të tregut energjetik.
Ministri Prifti evidentoi se aktualisht për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël janë investuar rreth 190 milion euro, vetëm 1/10 pjesë e investimit total që duhet të kryejë bazuar në lejet koncensionare të dhëna deri tani.
Dritan Prifti: “Në qoftë se janë 26 që prodhohen dhe 18 në ndërtim e sipër, të cilat përfundojnë në një periudhë afatshkurtër, pra 44 nga 90 koncensione prapë është një raport shumë më i mirë sesa ai që është perceptuar më përpara që shumë pak prej tyre kanë filluar të investohen dhe të kenë efektivitet. Parashikohet një investim deri në 1.9 miliard euro, pra të gjitha këto që janë dhënë, nga të cilat 10% e kësaj shume janë investuar deri sot”.
Nga vënia në punë e këtyre hidrocentraleve përllogaritet që në sistem të injektohen afro 3 miliard orë energji elektrike në vit, shifër mese e mjaftueshme për të mbuluar deficitin e energjisë në vend./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro