Si një kundërpërgjigje për sulmin në bazën ushtarake ruse Morozovsk në rajonin e Rostovit, një sulm ajror nga Rusia vrau 6 dhe plagosi 11 të tjerë sërish në Kharkiv.
Sulmi u krye me dronë ku mbetën të dëmtuara nëntë ndërtesa të larta si dhe tre konvikte. Mbrojtja ajrore e Ukrainës shkatërroi 28 nga 32 dronë dhe tre nga gjashtë raketat e lëshuara nga Rusia. Alarmet për sulm ajror mbetën në fuqi për Kharkivin dhe pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Kiev.
Kharkiv, në verilindje të Ukrainës gjatë kësaj jave është përballur me sulme të fuqishme, ku dronët ruse kanë shkatërruar ndërtesa banimi dhe kanë vrarë njerëz. Shefi i Shtabit të Presidentit Volodymyr Zelenskiy, Andriy Yermak, për Politico në një u shpreh se e shihte Kharkivin si objektivin më të mundshëm për çdo ofensivë të re ruse në maj ose qershor.
Ndërkaq një Gjykatë Speciale Ndërkombëtare për të mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e luftës të kryera në Ukrainë mund të krijohet deri në fund të këtij viti, tha Komisioneri Evropian për Drejtësinë Didier Reynders.
Reynders thotë se janë “dy opsione kryesore që po shqyrtohen: një gjykatë ndërkombëtare e bazuar në një marrëveshje shumëpalëshe ose një marrëveshje dypalëshe midis Ukrainës dhe Këshillit të Evropës.
Gjithashtu, do të krijohet një mekanizëm i veçantë për transferimin e çështjeve nga gjykatat ukrainase në këtë gjykatë të re. Holanda shprehu gatishmërinë e saj për të pritur gjykatën, përveç Qendrës Ndërkombëtare për Ndjekjen e Krimit të Agresionit kundër Ukrainës (ICPA), e cila tashmë është funksionale.
Zyrtarët ukrainas kanë dokumentuar mijëra krime lufte të kryera nga forcat ruse, duke përfshirë sulme të qëllimshme ndaj civilëve, sulme në objekte kulturore ose institucione mjekësore, tortura dhe dëbime.
Klan News