Gentian Capo, 38-vjeç, ra në prangat e policisë së Pogradecit pasditen e kësaj të shtune. Ai akuzohet se mbrëmjen e djeshme përplasi për vdekje një 40-vjeçar dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

Prej momentit kur u zbulua trupi i viktimës, policia u vu në kërkim të Capos. E pas kontrolleve, ku u përdor dron e dybli, autoritetet arritën të identifikonin makinën dhe shoferin e saj.  

“Pas një pune intensive të bërë nga Sektori i Policisë Rrugore, që nga mbrëmja e djeshme me këqyrje te kamerave qe ndodheshin ne aksin rrugor Korçë-Pogradec, kontrolle me dron dhe dylbi të territorit të fshatrave dhe zonave të banuara përreth vendndodhjes së aksidentit dhe informacioneve të marra në rrugë operative, u bë e mundur që rreth orës 16:40, të lokalizohej nëpërmjet dronit automjeti tip “Volkswagen” i përfshirë në këtë ngjarje rrugore. Gjithashtu u identifikua dhe drejtuesi i automjetit Gentian Capo, 38 vjeç, banues në fshatin Gështenjas, Pogradec”, thuhet në njoftimin e Policisë së Pogradecit.

Makina e 38-vjeçarit u sekuestrua si provë materiale ndërsa ai përballet tashmë me dy akuza: Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor dhe largim nga vendi i aksidentit./tvklan.al