Një aksident i rëndë në Itali i ka marrë jetën 13-vjeçares shqiptare, Jennifer Alcani. E mitura mbeti e plagosur rëndë në aksidentin e ndodhur të premten e kaluar, më 10 Janar, në Abbadia Lariana në Lecco.
13-vjeçarja u dërgua menjëherë në spital, ku qëndroi për 6 ditë me radhë në koma. Fatkeqësisht, ajo nuk mundi të ju rezistonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë pasditen e djeshme.
Ajo po udhëtonte në një makinë tip “BMW” me 2 shokë dhe ndodhej në sediljen e pasme. Në timon ishte një 22-vjeçar, i cili tashmë është nën hetim, ndërsa në sediljen e pasagjerit ndodhej një 19-vjeçar.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, makina me të cilën udhëtonte vajza ishte duke ecur me shpejtësi të madhe. Si pasojë, automjeti kishte dalë jashtë kontrollit dhe ishte përplasur me një mur në anë të rrugës.
Edhe dy të rinjtë kanë mbetur të plagosur, por nuk paraqiten në gjendje të rëndë shëndetësore. Para Policisë, ata kanë deklaruar se të dy kanë qenë të dehur në momentin e aksidentit.
Tashmë Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes që i mori jetën 13-vjeçares shqiptare./tvklan.al