Këto janë pamjet kur tre persona në një arë në fshatin Fushë Zezë të Malësisë së Madhe kujdesen për rrënjët e mbjella me kanabis sativa.
Policia thotë se i ka arrestuar ata në një operacion teksa po qarkullonin në rrugën Tamarë-Shkodër. Dy prej tyre janë vëllezër.
“Si rezultat i hetimeve të kryera gjatë këtij muaji, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, në vijim të megaoperacionit “Territor i pastër”, për goditjen e një rasti të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Fushë Zezë, Malësi e Madhe, u arrestuan shtetasit: E. K., 29 vjeç, S. K., 23 vjeç (vëllezër) dhe E. V., 20 vjeç. Tre shtetasit janë kapur gjatë operacionit në aksin rrugor Tamarë-Shkodër duke qarkulluar me dy automjete. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë bashkëpunuar për të kultivuar 561 bimë narkotike në tokë publike, në fshatin Fushë Zezë”, njoftoi policia.
Sasia e lëndës narkotike u dogj nga efektivët e po ashtu u sekuestruan dy makinat e përdorura nga autorët./tvklan.al