Shoferët e papërgjegjshëm dhe që kryejnë shkelje në rrugë kanë disa arsye më tepër për t’u frikësuar. Policia Rrugore ka përdorur gjatë kësaj jave mjetet e saj inteligjente me qëllim monitorimin më të mirë të situatës. Si rezultat i poliskanëve, radarëve, dronëve dhe dragerave vetëm gjatë kësaj jave që po lemë pas janë arrestuar 66 shoferë për drejtim makine në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi.

Radarët dhe poliskanët kanë nxjerrë zbuluar 1800 shoferë të cilët qarkullonin me shpejtësi 40 deri në 120 kilometra mbi normën e lejuar.

“Drejtuesit e automjeteve janë ndëshkuar me dyfishin e masës administrative maksimale dhe zbritje deri në 8 pikë nga Leja e Drejtimit”, njoftoi policia.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë vendosur 25,158 masa administrative për shpejtësi tej normave të lejuara, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për mospërdorim të rripit të sigurimit, për parakalime të gabuara, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, për manovra të rrezikshme në rrugë, për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit, për parkim të gabuar, si dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

E njëjta gjë paralajmërohet të ndodhë edhe javës që vjen duke pasur parasysh shkeljet e shumta të konstatuara.

“Për javën në vijim, nisur nga shkeljet e shumta të konstatuara gjatë javës dhe më parë, Policia Rrugore ka hartuar një plan të detajuar masash me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, që t’ju japin përparësi këmbësorëve dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit. Drejtuesit e motomjeteve dhe përdoruesit e biçikletave dhe monopatinave të mos qarkullojnë gjatë natës pa pasur shenja dalluese fosforeshente, si dhe këmbësorët të tregojnë kujdes në ato vende ku mungojnë mbikalimet apo vijat e bardha, duke mos kaluar rrugën pa kontrolluar lëvizjen në të dyja kahet”, njoftoi policia./tvklan.al