Policia e Matit ka identifikuar autorin e dyshuar të ngritjes së dronit mbi ambientet e burgut të Burrelit. Bëhet fjalë për 36-vjeçarin Taulant Ahmetsulaj, banues në Burrel.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, menjëherë pas marrjes së njoftimit se mbi ambientet e IEVP Burrel, ishte konstatuar një mjet inteligjent dron, i cili u neutralizua nga punonjësit e sigurisë së burgut, kanë nisur menjëherë hetimet për dokumentimin e kësaj ngjarjeje. Si rezultat i hetimeve të kryera në bazë të inteligjencës policore, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe shoqërimi në Komisariatin e Policisë Mat, i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasi T. A., 36 vjeç, banues në Burrel. Në bashkëpunim të ngushtë më Prokurorinë dhe IEVP Burrel, po vijojnë hetimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, njoftoi policia.
Kujtojmë se Drejtoria e Burgjeve njoftoi se një grup kriminal tentoi të fusë sende të ndaluara përmes një droni. Megjithatë pavarësisht se e kapën, në mjetin inteligjent nuk kishte sende të ndaluara.
Por sipas “Burgjeve” hetimet kanë treguar një tendencë të grupeve për të marrë pamje nga brenda burgjeve të sigurisë së lartë./tvklan.al