Artistët shqiptarë solidarizohen në ndihmë të të prekurve nga tërmeti

Personazhe të njohur të artit dhe skenës shqiptarë, në mënyra të ndryshme  u solidarizuan duke dhënë ndihmën dhe mbështetjen e tyre pas tragjedisë që solli tërmeti i 26 Nëntorit.

Nëpërmjet shfaqjeve apo koncerteve të ndryshme, ata kanë vendosur të ndihmojnë sadopak ata që u lënduan nga tërmeti. Të ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan, kanë qenë koreografi Albi Nako, këngëtarja Era Rusi dhe regjisorja Driada Dervishi.

Më 26 Nëntor Albi Nako kishte organizuar workshop-in me Kledin Kadiun. Por, si pasojë e tërmetit, ky workshop u shty.

Ishte një koicidencë e madhe, e marta kur ndodhi katastrofa. Në mëngjes më vjen mesazh nga Kledi Kadiu dhe më thotë: Lali çfarë ka ndodhur, e tmerrshme. Duke shkëmbyer energjitë e ndjesisë së momentit. Pastaj më thotë që nuk ka avion për të ardhur në Tiranë. I gjendur në këtë situatë po mendoja çfarë do ndodhi. I thashë ta shtyjmë për herë tjetër, ndoshta nga java që vjen. Patjetër tha Kledi. Pastaj duke ecur rrugës, duke dëgjuar radion më erdhi një ide. Pse mos e kthej këtë gjë, ta kemi më funksionale këtë si event. E marr Kledin në telefon dhe i them: Të ardhurat e këtij eventi, si mendon t’i çojmë në ndihmë të viktimave, rindërtimit. Ai e mirëpriti idenë në mënyrë të jashtëzakonshme”.

Në “ArTurbina”, në datat 7-8 Dhjetor, rikthehet “Shirli Valentina”. Të ardhurat nga shitja e biletave, do të shkojnë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti. “Shirli Valentina”, nën një interpretim të shkëlqyer të aktores Olta Daku, me regji nga Driada Dervishi, e cila është vetë nga Durrësi dhe e ka përjetuar së tepërmi tërmetin e 26 Nëntorit. Tani disa ditë pas tërmetit ajo mendon se situata është qetësuar dhe është rikthyer sërish aty.

 “Unë e kuptoj që është shumë e vështirë, por duhet të rifillojmë nga diku. Unë lutem shumë, që të ketë një masë sepse po mbireagojmë. Është mbingarkesë e madhe. Marr telefonata pse je kthyer në Durrës. Ju them është çdo gjë mirë, tani mbaroi. Jemi dhe të papërgatitur, totalisht të papërgatitur për këto situata. Duhet të jemi sensibël, duhet të dimë të marrim masa dhe duhet të jemi më tepër gjakftohtë, nëse s’duam ta braktisim atë qytet”.

Gjithashtu, Inva Mula ka marrë iniciativën për të realizuar një koncert maratonë me artistët më të njohur shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Të ardhurat e tij do të dërgohen për të ndihmuar të mbijetuarit e tërmetit të 26 Nëntorit. Koncerti do të zhvillohet në Durrës më 8 Dhjetor. /tvklan.al