Denoncuesi prej muajsh në arrest shtëpie: Jam kryefamijar, fëmija, nusja dhe shtëpia pret nga unë

Ermal Maloku, i cili jeton në Kombinat, tregon se në 8 Maj 2019 mori pjesë në një protestë me banorët e Astirit. Pasi përfundoi protesta dhe po shkonte në shtëpi, Ermali thotë se e kanë dhunuar 8 civilë, që e goditën dhe e dëmtuan krahun dhe më pas e çuan në Komisariatin Numër 3.

Të nesërmen ka bërë ekzaminimet te Trauma dhe i kanë futur krahun në allci për 26 ditë, kohë pas të cilës e ka hequr vetë, pasi ishte marrë masa e arrestit shtëpiak.

“Më 8 Maj dola në protestë, si gjithë të tjerët, në mbështetje të opozitës dhe të banorëve të Astirit. Shkuam tek Drejtoria, mbaruam protestën duke ardhur për në shtëpi, 8 veta duke më gjuajtur pas shpine. Më gjuajtën mirë e mirë, gjak nga hundët, më thyen krahun, duke share dihet, s’bëhet fjalë. Në fund fare i thashë ore çfarë keni. Jemi policia, më thanë. Tani më thua ti, i thashë, që jemi policia, pasi më gjuajte mirë e mirë, më theve krahun, më dëmtove? Më futen në një makinë civile, ishte tip Benz ngjyrë gri. Më çuan tek 3-shi, krahu më dhimbte qamet. Më sollën një ambulancë dhe donin të më çonin tek Trauma atë natë. Unë në fakt nuk pranova sepse kisha frikë se të tjerët ishin jashtë, dy futeshin, dy dilnin dhe kisha frikë mos më gjuanin prap. Të nesërmen vjen një oficer, a shefi i rendit, apo i komisariatit nuk e di, edhe më tha si ka ndodhur. I thashë e dinë shumë mirë ata që më kanë gjuajtur. I thashë dua të iki në spital, sepse po më dhemb krahu. Kisha edhe si marrje mendsh, të vjella, mesi më dhimbte. Më çuan atje, kam bërë mbi 8 grafi dhe kur vinte puna që unë pyesja çfarë kam, doktori thoshte që e ke të shkuar, që ke një ftohje të rëndë, e ke trashëgimi nga gjyshi, nga babai. I thashë, do të më bësh për budalla? 26 ditë e kam mbajtur krahun në allçi dhe kur kam dashur ta heq, nuk e merrja dot OPGj që më preu letrat, sepse në kohën kur do të lindte nusja, unë e mora në telefon dhe më tha a po lind ti apo po lind nusja? E kam hequr pastaj me ujë të nxehtë. E zbuta, e preva me gërshërë“, tregon denoncuesi.

Pati ndonjë incident tek Drejtoria e Policisë Vendore në Tiranë që ju u vutë në shënjestër nga oficerët civilë?

“Tek Drejtoria nuk ka pasur asnjë lloj incidenti, as nuk është dhunuar siç pretendojnë këta, ndonjë polic, por është djegur një gomë atë gomë e kam pranuar që e kam djegur unë, pa më treguar videon. E kam pranuar, po e dogja unë, ashtu e ndjeva. Por nuk ia kam hedhur askujt, siç pretendojnë këta. Është shumë e lehtë, nëse unë kam dhunuar ndonjë, ata mund të ma sillnin aty, ose nuk do më mbanin fare arrest shtëpie, që jam një kryefamijar dhe fëmija, nusja dhe shtëpia pret nga unë. Imagjino nëse do të kisha dhunuar ndonjë.”

Je njohur me akuzat e prokurorisë?

“Po më kanë vënë 6 nene. Prishje të qetësisë publike, dhunë ndaj forcave të rendit, djegie objektit shtetëror, edhe ato tre akuzat e tjera, sepse nuk kam asnjë letër nga prokuroria, nga hetuesia. Nuk kam nga asnjë. As nga policia. Kur kam shkuar në sallë të gjyqit, prokurorja ishte përballë meje. Hyn gjykatësja, ngrihemi të gjithë në këmbë edhe më thotë: Po ti Ermal çfarë ke te krahu? Hidhet prokurorja thotë ka rrëshqitur dhe ka thyer krahun, se kështu do t’i kenë thënë ata të 3-shit. I thashë nuk është e vërtetë, ky krah është thyer nga 8 civilë, këta 8 civilë kanë qenë policë. Kam që nga data 11 Maj i 2019-s që unë kam dalë në gjykatë dhe jam liruar me arrest shtëpie, unë e sot e kësaj dite vazhdoj të jem arrest shtëpie, nuk e kuptoj… Kam një familje për të mbajtur. Unë nuk kam dhunuar njeri, e them me bindje të plotë. Këta në 1 orë kohë më kanë studiuar mua, më kanë arrestuar, më kanë kthyer edhe krahun, ndërsa për 5 muaj e gjysmë, ata që më kanë thyer krahun, më kanë arrestuar, më kanë nxjerr gjak nga hundët, ata lëvizin lirshëm sot e kësaj dite. Unë kërkoj që drejtësia të shkojë në vend. I kanë provat, faktet, le të më arrestojnë nuk prish punë, por unë të jem i lirë derisa këta të kryejnë hetimet. Që unë të paguaj qiranë, t’i blej qumështin gocës, pampersat, edhe të jem tamam si gjithë të tjerët, jo të rri i izoluar, për çfarë duhet me ndenjur i izoluar?

Prokuroria nuk pranon që Ermali është dhunuar, por mjeku ortoped Dion Riza shpjegon se ai ka patur krisje në bërrylin e majtë, që është e dhimbshme dhe i kufizon lëvizjen e krahut.

“Normalisht krisja nuk ndodh rastësisht, ndodh nga një traumë. Mekanizmi i traumës mund të jetë i ndryshëm. Koha e rikuperimit është për t’u ndjekur në dinamikë. Shembjet e trupit, për një-dy javë, maksimumi tre javë stabilizohen, ndërsa krisja ka ndjekjen e vet në dinamikë. Mund të mbetet i dhimbshëm si bërryl për një periudhë kohe dhe mund të kemi edhe ato që kontraktohen, kufizim në lëvizjen e krahut”.

Prokuroria po heton ende për protestën e 8 Majit dhe aktin e Ermalit, që dogji një gomë, por përsa i përket dhunës nuk ka asnjë zhvillim. Çlirim Gjata, jurist, thotë se protesta është e drejtë qytetare dhe siç po hetohet për sjelljen e Ermalit në protestë, po ashtu duhet të merrej kallëzimi i tij për dhunë nga policia.

“E para ai ka marrë pjesë në një protestë, e kanë ndaluar, e kanë shoqëruar në komisariat, kanë vendosur arrest shtëpie për të, pra është hetuar, vazhdon dhe akoma edhe sot është në arrest shtëpie thoni juve? Në fund të fundit është e drejtë qytetare protesta. Tani vijmë tek tjetra. Këtë dikush e ka dhunuar. Ky pretendon që më ka dhunuar policia. dhe e ka dhunuar deri atje sa ekspertët mjeko-ligjorë kanë dhënë vërtetimin dhe kanë bërë ekzaminimet mjekësore dhe e kanë nxjerrë i goditur me mjete të forta. Pra hyn në kategorinë e rrahjeve, plagosje e lehtë, ose me keq akoma plagosje e rëndë. Tani këtu duhet të hetojë policia me prokurorinë. Po këtë që e kanë goditur kush e heton? Pra në radhë të parë duhet t’i merrnin një kallëzim, sapo ta shihnin, kush të ka bërë kështu more zotëri?Ku u vrave, ku u dëmtove? Pastaj prokuroria duhet të hetojë edhe se kush e ka goditur dhe kush e ka dëmtuar, sepse është i ri dhe ka të drejtat e veta kushtetuese. Ti mund ta ndalosh për 1 mijë e 1 krime dhe s’ke të drejtë t’i prekësh një fije floku. Prokuroria duhet të hetonte dhe policinë që përse nuk ka hetuar këtë rast. Sa i takon asaj që paska cënuar interesat e qeverisë, është hetuar për bukuri, mbahet në arrest shtëpie. Po atë kur cënohet individi nga policia dhe kushdo qoftë, se tani nuk e di fiks nga policia apo jo. Kjo të çon në përfundimin që këtë ka shumë mundësi ta kenë dhunuar punonjësit e policisë atje dhe për të mbuluar njëri-tjetrin nuk bëhet asnjë lloj hetimi. Kjo është shkelje e hapur e të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës. Më fal po, as unë, as ti nuk jemi të sigurtë. Kujtdo mund t’i ndodhë kjo histori dhe nuk çan kokën kush të hetojë”./tvklan.al