Ndodh që politika përdor shpesh të vdekurit për qëllimet e saj, por një rast në Durrës duket se përben ekstremin e përfitimit që politika kërkon të bëjë mbi të gjallët, duke i llogaritur madje si të vdekur.
Kastriot Islami: “Me listat e votuesve rezulton se Shqype Hasibja, 159-vjeç nga Shkallnuri në komunën Rrashbull të Durrësit është prezente për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit. A e kuptoni të dashur shqiptarë, se çfarë manipulimesh banale bëhen me teknologjinë më moderne”.
Një ditë pas deklaratës së deputetit Kastriot Islami, se në listat zgjedhore ka ende njerëz të cilët kanë vdekur por figurojnë ende të gjallë, ka reaguar PD me anë të zëdhënëses së saj Erla Mëhilli, e cila thekson se zonja në fjalë është e gjallë.
Erla Mëhilli: “Dje Kastriot Islami, deklaroi se në listat e zgjedhësve ekziston shtetasja Shqype Hasibra, 159-vjeç. Gjithsesi Ministria e Brendshme, verifikoji rastin dhe rezultojë se kjo shtetase është shëndosh e mirë, është gjallë, është 60-vjeçe dhe jeton në fshatin Shkallnur komuna Rrashbull në Durrës”.
Për të verifikuar pretendimet e ndryshme të dy partive politike, gazetarët e TV Klan ishin sot pasdite në fshatin Shkallnur të komunës Rrashbull në Durrës dhe takuan vetë Shqype Hasibrën, e cila gjatë 24 orëve të fundit u kthye pa dashjen e saj në protagoniste të akuzave e kundër akuzave të politikës.
Siç shihet nga këto pamje, kjo është Shqypja për të cilën PS thotë se ka vdekur dhe sot duhet të ishte 159-vjeç, ndërsa PD deklaroi nëpërmjet zëdhënëses se ajo gëzon shëndet të plotë dhe mbush 58-vjeç vetëm pas 6 ditësh.
Shqype Hasibra: “Shqype Hasibra, datëlindja e 51-it, 18 qershor. Unë u habita kur e dëgjova në televizor këtë lajm që doli emri im. Thash si ka mundësi, edhe jo se u frikësova, është gjë e çuditshme”.
Zonja Hasibra i bën thirrje autoreve të gjithë kësaj zhurme që të vërtetojnë së pari faktet që i vihen në dispozicion për të mos shkaktuar incidente të tilla dhe ta lënë të qetë në jetën e saj të përditshme./tvklan.al