Shembja e hotelit ku ishin akomoduar prej disa ditësh zgjoi të tronditur 52 nxënës kosovarë që ndodheshin për ekskursion në plazhin e Golemit në Durrës.
Pesë prej tyre u nxorën pa ndjenja nga ambientet e ndërtesës, ku kishin rënë për të fjetur një natë më parë.
Të lënduarit ndodheshin pikërisht në katin e dytë të hotelit, ballkoni dhe muret e të cilit u shembën pjesërisht.
“Deri në ora 5 e diçka kemi kujdestari gjithë personeli i cili kemi qenë kemi kujdestaruar. Kjo ka ndodhur për momentin dhe më saktë kemi informacione, është bolieri, i cili ka qenë në dhomë atje ka shpërthyer bolieri dhe kjo ka ndodhur.”
Nga të lënduarit më e dëmtuar është një vajzë 18-vjeçare me fraktura të rënda në këmbë, por gjendja e saj është jashtë rrezikut për jetën.
Dy nga nxënësit që ndodheshin në katin e dytë të ndërtesës rrëfejnë për TV Klan se para shembjes dëgjuan një shpërthim të fortë.
Enkelejda Arapi: “Dy nga nxënësit plagosur si pasojë e shembjes së hotelit në plazhin e Golemit ndodhe të shtruar në spitalin e Durrësit. Për Klan Kosovën nxënësit kanë rrëfyer çastet e tmerrit që kanë përjetuar ku ata ishin të akomoduar që prej 5 ditësh.
“Në dhomë duke fjetur isha.”
Gazetarja: “Çfarë ishte zhurmë shpërthimi?”
“Nuk kam ditur asgjë.”
“Nuk di gjë, kur u zgjova në spital. Katër veta në dhomë unë i lënduari.”
“Ishim duke fjetur, kemi dëgjuar zhurmën, kur kemi dalë ne veç kishte kryer.”
Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, të cilat kanë nisur hetimet për ngjarjen.
Informacionet më të fundit flasin për shembjen e murit si pasojë e shpërthimit njërit prej bolierëve të dushit në katin e dytë.
Lidhur me ngjarjen policia ka shoqëruar për disa ore disa persona mes të cilëve edhe pronarin e hotelit, por i ka lënë ata të lirë pas marrjes në pyetje.
Grupi i nxënësve ishin nga Gjilani i Kosovës dhe prej 5 ditësh ndodheshin për një ekskursion në bregdetin e Durrësit./tvklan.al
Gazetarja: Enkelejda Arapi