Përkundër sa është thënë në disa media të shkruara për probleme në qendrat e aplikimit te kartave te identitetit, verifikimi në zonat e përmendura tregon se procesi vijon normalisht. Në komunën e Maminasit në Durrës interesi i qytetarëve është i lartë dhe deri më tani kanë aplikuar 1500 persona.
Enkelejda Arapi: “Në komunën e Maminasit situata paraqitet e qetë. Zyrat qëndrojnë të hapura për gjatë gjithë ditës për t’iu përgjigjur interesit të qytetarëve.”
Qytetar: “Kollaj, shpejt u bë, tani që mbarova po në rregull.”
Në Lezhë numri i atyre që aplikojnë për tu pajisur me letërnjoftimet elektronike ka arritur në 100 në ditë. Deri tani kanë aplikuar 90 % e qytetarëve që nuk disponojnë pasaportë, çka sipas drejtuesve të gjendjes civile do të bëjë që procesi të përfundojë në kohë.
Qytetar: “Unë kam aplikuar për vetë dhe me gjithë pjesëtarët e familjes, e kam vlerësuar këtë moment edhe për vete. Nuk kam pasur ndonjë pengesë realisht në procesin e aplikimit, i kemi marrë kartat rregullisht.”
Lindita Petoku: “Në bashkinë Lezhë kanë aplikuar 6020 shtetas, janë shpërndarë 3840 karta ID. Procedura e marrjes së një karte ID është 2 javë, është normale.”
Procesi i aplikimit për kartat e identitetit ka vijuar normalisht në të gjitha komunat dhe bashkitë e qarkut Dibër. Në shumicën e tyre numri i aplikuesve pa pasaporta i kalon 95 % , ndërsa në bashkinë Peshkopi, komunat Melan, Maqëllarë, Qendër dhe Zerqan , kanë mbetur pa aplikuar vetëm personat që ndodhen jashtë shtetit.
Qytetare: “Erdhëm e morëm me 2 mijë lek hymë e bëmë pa ndonjë problem fare.”
Gazetare: Sa vonoheshit?
Qytetare: “Aspak 5 minuta.”
Qytetari: “Çova certifikatë me fotografi, pagova një 2 mijë lekëshe dhe mora kartonin.”
Sadik Cena: “Nga 2400 aplikues që u mungonte pasaporta janë realizuar 2184, pra duhen gjithsej edhe 216.”
Me daljen e vendimit të qeverisë për kompensimin e kartave për pensionistët, studentët dhe shtresat në nevojë ka filluar menjëherë shitja e kuponave me 200 lekë dhe janë hartuar listat për kompensimin e atyre shtetasve që ne fillim kanë paguar 1200 lekë./tvklan.al