“Jemi aty për njëri-tjetrin”, e përshkruan Eneda Tarifa marrëdhënien e saj me Gent Laskun. Tashmë një çift i konsoliduar që i shohim bashkë ngado e madje Genti është kthyer së fundmi edhe në bashkëpunëtorin e saj artistik pasi ka shkruar tekstin e këngës pjesëmarrëse të Enedës në “Kënga Magjike” që titullohet “Më fort”.

Një raport i ngushtë ku të dy plotësojnë e ndihmojnë njëri-tjetrin për t’u bërë versioni më i mirë i vetes. Ndërsa tregonte në “Shije Shtëpie” në Tv Klan për krijimin e tekstit, Genti tha se ai dhe Eneda kanë “histori të ngjashme”. Këngëtarja u pyet në “Rudina” për domethënien e kësaj deklarate ku u shpreh se të dy kanë pika të ngjashme në historitë e tyre respektive.

Eneda Tarifa: Kemi pak a shumë histori të ngjashme në disa pika të historisë sonë kronologjike që i kemi të përbashkëta, i kemi shumë të ngjashme. Njeriu sado që të dukete i lumtur, i gëzuar dhe i arrirë në  jetë, patjetër ka kaluar nëpërmjet vështirësive të veta në këtë kuptim dhe në këtë sens… të gjithë ne.

Për herë të parë, Eneda ndau edhe historinë e njohjes së tyre. Pa zbuluar shumë sepse çifti paska në plan edhe një projekt të përbashkët për të cilin po ruajnë surpriza, por disa gjëra nuk hezitoi t’i ndante. Gjithçka nisi me një takim të rastësishëm.

Eneda Tarifa: Nuk do të them shumë sepse kam menduar ta ruaj për një moment tjetër…

Rudina Magjistari: Aq sa do ti.

Eneda Tarifa: Se nuk është vetëm Rudina që me thënë të drejtën e dua shumë dhe kam ardhur me shumë dashuri, por kemi një projekt tonin që dua që disa gjëra t’i ruaj për atje.

Rudina Magjistari: Shumë e kuptueshme.

Eneda Tarifa: Jemi njohur diku që ishim vetëm ne të dy dhe s’kishte asnjeri tjetër. Dikush iu drejtua tjetrit…

Rudina Magjistari: Ku ishit, në një festë?

Eneda Tarifa: Jo,  në një vend të mbyllur.

Rudina Magjistari: Ashensor?

Eneda Tarifa: Jo. (qesh). Okej, ishim në klabin e një shoku tonë të përbashkët.

Rudina Magjistari: S’kishte njerëz të tjerë?

Eneda Tarifa: Jo, ishte paradite nuk ishte natë që le të themi që njeriu e liron pak veten, kështu që ishte tepër koshient çdo proces i njohjes.

Rudina Magjistari: Kishit filluar t’i flisnit njëri-tjetrit, u prezantuat gradualisht…

Eneda Tarifa: Dhe kaq pastaj, mbaron muhabeti./tvklan.al