Në skenën e Teatrit Ariston u ngjitën dy bukuroshe shqiptare. Pas prezantueses së Televizionit Klan, Alketa Vejsiu, e cila ishte pjesë e festivalit të Sanremos në natën e tretë të tij, të premten, në po të njëjtën skenë u ngjit edhe këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa.
Artistja 24-vjeçare ishte një prej të ftuarve specialë, që performuan në festivalin më të rëndësishëm të muzikës italiane. E veshur me lëkurë, Dua elektrizoi skenën e këtij festivali, ndërsa në fund Amadeus i dhuroi asaj edhe një buqetë me lule.
Edicioni i 70-të i Sanremos erdhi me skenografi të mjeshtrit Gaetano Castelli, ndërsa u prezantua nga 10 personazhe të ndryshëm, që u ngjitën në netë të ndryshme të tij. Alketa Vejsiu, me prezantimin e saj elokuent bëri jehonë në mediat ndërkombëtare. Jehona nuk mungoi as për artisten me famë botërore, Dua Lipa./tvklan.al