Dy të rinj shqiptarë të moshës 21 dhe 22 vjeç mbetën të plagosur rëndë këtë të mërkurë në Itali, si pasojë e një aksidenti me makinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:20, Piove di Sacco të Padovas. Dy shqiptarët udhëtonin me këtë Volkswagen T-roc kur shoferi 21-vjeçar humbi kontrollin në kthesë dhe përfundoi duke u përplasur fillimisht me trotuarin. Më pas makina fluturoi disa metra në ajër duke rënë në oborrin e një shtëpie që ndodhej aty pranë.
Në vendin e ngjarjes shkoi policia dhe shërbimet e emergjencës. Pasi morën ndihmën e parë, dy të rinjtë u transportuan drejt spitalit. Të dy mësohet se janë në gjendje të rëndë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Shkaqet e këtij aksidenti që mund të kishte pasur pasoja edhe më të rënda po hetohen nga autoritetet, ndërsa sipas mediave fqinje, dyshimet e para janë se shqiptarët udhëtonin me shpejtësi tej normave të lejuara./tvklan.al