Që nga data 1 Maj rreth 1/6 e popullsisë që përbëhet nga pensionistët në fshat dhe qytet, do të njohë rritjen më të madhe të pensioneve të ndodhur më parë. Pensionet minimale dhe ato mesatare në fshat do të dyfishohen ndërsa ato në qytet do të rriten me 49 dhe 51%. Sipas kryeministrit Sali Berisha mësuesit, infermierët, mjekët dhe punonjësit e administratës publike me pagë minimale do të përfitojnë gjithashtu dyfishim të rrogave kjo e krahasuar me vitin 2005.
Sali Berisha: “Gjykoj se përmbushim ende një premtim që duhet tu them ju, ka qenë më i vështiri, absolutisht më i vështiri për të përmbushur. Kjo politikë do të vazhdojë, ndaj dhe i uroj pensionistët, uroj mësuesit të cilët rrogën e majit do ta kenë dyfish, infermierët do ta kenë dyfish, punonjësit e administratës në tërësi që do marrin një rrogë 68% më të lartë dhe nuk ka një administratë tjetër në Evropë ta ketë rritur rrogën mesatare në katër vjet sa ç’ka rrit kjo administratë, uroj pensionistët në fshat që marrin një pension dy herë më të madh sesa në 2005, pensionistët në qytet që marrin një rritje rreth 50%.”
Duke i vlerësuar këto si mbajtje të premtimeve të fushatës elektorale të vitit 2005, Sali Berisha deklaroi gjithashtu se tashmë në Shqipëri ka rreth 200 mijë të varfër më pak, si rezultat i politikave dhe reformave të qeverisë. Çfarë garantoi ka shtuar kryeministri, është se në mandatin e dytë asnjë qytetar nuk do të njohë më varfërinë ekstreme.
Sali Berisha: “Kjo politikë, i dha përgjigje me të qëndrueshme varfërisë në Shqipëri. Shqipëria sot ka mbi 200 mijë të varfër më pak. Ajo ç‘ka unë dua të garantoj qytetarët shqiptar, se jo me fjalë po me vepra e vendime të tilla do të bëj që në mandatin e dytë as dh enjë qytetar i vetëm shqiptar të mos njoh varfërinë ekstreme.”
Kryeministri Sali Berisha nuk ka lënë pa përmendur dhe rritjen e ndihmës sociale e cila dhe kjo do të dyfishohet. Sipas tij ndihma sociale ekonomike është rritur me 110% nëse marrim parasysh shifrat e vitit 2005 ku ndihma sociale ishte vetëm 7 mld lekë ndërsa tashme ajo është 15 mld lekë. Te gjitha këto deklarata kryeministri Berisha i bëri në mbrëmje gjatë mbledhjes së qeverisë e cila u zhvillua pas agjendës së ngjeshur së krijuar me vizitën e kryeministrit grek Kostas Karamanlis në Tiranë dhe pak orë përpara se shefi i qeverisë të nisej në drejtim të Pragës ku do të dorëzojë kërkesën e qeverisë për aplikimin si vend kandidat në Bashkim Evropian./tvklan.al